Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qytetarët ankohen për shtrenjtimin e rrymës: Me pension 120 euro si i dilet në krye?!

Paralajmërimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) se çmimi i energjisë elektrike do të rritet 15 për qind vazhdon të shkaktojë pakënaqësi ndër qytetarë.

Në komunikim me agjencinë e lajmeve Ekonomia Online qytetarët e shfaqin hapur pezmin e tyre. Shtrenjtimin e rrymës e konsiderojnë një barrë të padurueshme për buxhetin e tyre familjar.

Qytetarët kërkojnë që rritja e çmimit të energjisë të mos bëhet ose së paku të ketë masa nga qeveria për të mbështetur ata me të ardhura më të ulëta, si pensionistët.

Qytetari Vesel Veseli thotë se kjo do të ndikojë negativisht në përballimin e shpenzimeve të përditshme, duke e bërë edhe më të vështirë mbijetesën për shumë familje.

“Kjo është një rritje e papërballueshme për shumicën e familjeve tona, kur dihet çfarë buxheti familjar kanë. Është e papranueshme dhe rritje imponuese. Për ta përballuar disi qytetarët këtë rritje të çmimeve dhe pë ta zbutur këtë gjendje duhet që organet e qeverisë të marrin masa sociale, duke i rritur pensionet dhe ndihmat sociale. Një pensionist që sot e ka pensionin 120 euro si do t’ia dal;?!”, shprehet Veseli.

Një tjetër qytetar Murat Gërbeshi po ashtu shprehu shqetësimin se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të shkaktojë një rritje zinxhirore të çmimeve, duke e vështirësuar jetesën.

“Rritet çmimi i energjisë dhe shkojnë e të gjitha çmimet rriten. Nuk e di se çka janë duke bërë. Qe tri herë që e rrit çmimin ky zotëria i Vetëvendosjes. Nuk e di se si do ia qes fundin. Po si nuk ndikon?! Do të shkojnë të gjithë çmimet zinxhir të rriten. Nuk kemi çfarë të bëjmë”, ka thënë ai.

Edhe qytetari Bajram Demaj kërkoi që energjia elektrike të mos shtrenjtohet, pasi për pensionistët është i pamundur përballimi i kostos së jetesës.

“Nuk duhet të shtrenjtohet energjia elektrike. Duhet të kane parasysh standardin e popullatës, sidomos pensionet. Me një pension nuk mund t’ia dalë njeriu. Është mirë të mos ketë shtrenjtim. Do të vijë fatura e rrymës diku 70 – 100 euro. A të blesh barna a të paguash qira?! Nuk mund t’ia dalë njeriu assesi. Kërkesa është që të mos shtrenjtohet energjia, popullata duhet të jetë e zgjuar, të protestojë që mos të rritet energjia elektrike”.

Tashmë grupi “Asnjë cent ma shumë” paralajmëroi se do të mbajë protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, të shtunën më 5 prill në Prishtinë. Protesta do të nisë nga ora 15:00 në sheshin “Skënderbeu”. Në njoftim thuhet se protestohet kundër rritjes së tarifave për 15 për qind, kundër varfërisë energjetike, për zë qytetar dhe transparencë si edhe për tarifa të drejta dhe jetë me dinjitet.