Qytetarët në jug të Mitrovicës po kërkojnë nga ekzekutivi kosovar që sa më shpejt të ndërmarrë veprime drejt hapjes së urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve. Derisa ata të komunitetit serb nuk pranojnë të deklarohen për këtë. Nga Kuvendi Komunal në Mitrovicë të Veriut thonë se disponimi është i njëjtë. Pavarësisht se hapja e saj nuk po përkrahet nga shtetet e Kuintit, njohës të sigurisë shprehen se Qeveria duhet ta realizojë planin e saj. Të njëjtit, nuk presion tensionim të situatës.
Që me shumë se dy dekada kjo urë është bërë simbol i ndarjes etnike në Mitrovicë. Këta gurë pamundësojnë qarkullimin e veturave mbi urë, e si rrjedhojë qytetarët duhet të sillen rreth e rrotull nga jugu për në veri dhe anasjelltas.
Në kohën kur ekzekutivi kosovar po synon hapjen e saj, qytetarët po shpresojnë që veprimet në këtë drejtim të ndërmerren sa më shpejt.
Qytetarët e komunitetit serb nuk pranuan të deklarohen për këtë çështje.
Mirëpo nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut thonë se disponimi është i njëjtë, edhe banorët serbë duan hapjen e urës.
E sipas zëvendëskryesuesit të Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skender Sadiku, një gjë e tillë mund të ndodhë gjatë këtij viti.
Njohës të sigurisë thonë se përgatitjet për hapjen e urës janë bërë, derisa shprehen se një veprim i tillë nuk do të nxisë tensione.
Planin për hapjen e urës kryeministri Kurti e paraqiti të premten para shteteve të Kuintit dhe BE-së, mirëpo këta të fundit kundërshtuan ndryshimin e statusit të urës mbi lumin Ibër.