Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Qytetarët në Prishtinë mbështesin organizimin e zgjedhjeve të reja në veri

 
   

Kërkesën e bashkësisë ndërkombëtare për të organizuar zgjedhje të reja në veri të vendit po e mbështesin edhe qytetarët e Kosovës. Ata thonë për KosovaPress, se institucionet tona kanë respektuar ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës në katër komunat e veriut. Megjithatë, theksojnë se zgjedhjet mund të mbahen për ta qetësuar situatën në atë pjesë të vendit.

Qytetarët, po ashtu janë të mendimit se kryeministri Albin Kurti duhet të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qytetari Blerim Krasniqi thotë se mbështet zgjedhjet e reja në veri të vendit.

Krasniqi: Zgjedhjet janë opsion për pakicat në Kosovë

“Albini është prej të rrallëve që e ndjek kushtetutshmërinë, ndjek ligjet dhe të gjitha që i kërkon shteti i jonë i Kosovës. Të gjitha këto janë në raport se po funksionon ligji në shtetin e Kosovës. Duke respektuar ligjin, Kushtetutën. Zgjedhjet e reja janë opsion deri në një moment kur plotësohen kushtet, është interpretuar se nuk zgjidhet nga votat, nga populli serbë. Kosova nuk përbëhet vetëm nga shqiptarët, por ka edhe pakica dhe është normale. Në asnjë vend në botë nuk kanë më shumë të drejta pakicat se sa në Kosovë”, shprehet ai.

Bajram Demaj deklaron se institucionet e Kosovës kanë zbatuar ligjin dhe Kushtetutën, por situata në veri mund të qetësohet me zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen në bazë të ligjeve të Kosovës.

Demaj: Situata mund të qetësohet vetëm me zgjedhje

“Si qytetar i Prishtinës unë mendoj se për qetësimin e situatës në pjesën veriore duhet të dalim në zgjedhje. Një pakicë 3% nuk mundet me përfaqësuar pakicën serbe, duhet të sqarohet me zgjedhje si e kanë propozuar edhe Amerika dhe kryeministri Albin Kurti në Kuvend, duhet të shkojmë në zgjedhje”, thotë Demaj.

Të njëjtin mendim e ka edhe Hashim Hashimi. Ai thotë se ato komuna duhet të udhëheqen nga shumica e popullsisë, nëse serbët pranojnë të dalin në zgjedhje.

Hashimi: Amerika po përdhel Serbinë dhe Kosovën

“Pse Amerika po thotë, ajo po e ledhaton kaq shumë. Kryeministri po del sikur me qenë kundër, nëse ata në veri binden me dalë në zgjedhje, është më mirë dhe është normale me i udhëheqë komunat e veta ata po dalin kundër fjalëve të veta. Amerika na ka përkrahë gjithmonë por më së miri e din Albin Kurti”, thotë ai.

Idriz Demiri nga Tetova potencon se vendimet e kryeministrit Kurti janë të sakta dhe sido që të vendosë ai, beson se do të jetë në rregull.

Demiri: Jam pro zgjedhjeve nëse vendos kryeministri

“Unë jam me Albinin, nëse Albini vendos unë jam me Albinin, Albini nuk është kundër Amerikës, vetëm është kundër disa vendimeve të disa individëve, sipas disa bisedave, ata të cilët janë kundër Albinit në veri, duhet të shkarkohen por se çka ndodhë, nuk e di, ata do të ndërrojnë mendje se do ta bind ai”, thotë Demiri.

Përndryshe, përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, gjë që është pranuar edhe nga drejtuesit e institucioneve tona, të cilët kanë theksuar se mund të mbahen duke respektuar procedurat dhe ligjet e Kosovës.