Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Raci jep parashikimin, a do të ketë koalicion të Vetëvendosjes me PDK-në ose LDK-në

 
   

Të premten ka qenë afati i fundit për partitë politike në vend që të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve koalicionet parazgjedhore. Lëvizja Vetëvendosja, Partia Guxo dhe Alternativa nuk kanë bërë koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e 9 shkurti, por këto subjekte politike kanë bërë të ditur se do të garojnë së bashku në procesin e ardhshëm zgjedhor.

Ndërsa para disa muajsh, koalicion kanë bërë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me atë të Nismës. Analisti Gazmir Raci thotë se nuk pritet të ketë koalicion me PDK-në ose LDK-në meqë dallimet ideologjike janë të mëdha.

Dhjetë parti politike njoftuan se do të kërkojnë certifikim përmes koalicionit për pjesëmarrje në Zgjedhje për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Gjithashtu, KQZ njofton se ka përfunduar edhe periudha për partitë politike të regjistruara në Kosovë që të njoftojnë se nuk dëshirojnë të garojnë në zgjedhje.

Tre parti politike të regjistruara kanë njoftuar se nuk dëshirojnë të certifikohen për zgjedhje. Partia Demokratike e Diasporës, Lëvizja për Bashkim dhe Partia Balliste.

Ditën e fundit e shfrytëzoi partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje e cila ka bërë koalicion me dy parti, atë të Donika Gërvallës, Guxo dhe Alternativën e Mimoza Kusari Lilës. Megjithëse, sipas një reagimi të Vetëvendosjes, ky koalicion nuk ka mundur të procedohet dje formalisht në KQZ, për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare.

E analisti politik, Gazmir Raci thotë se nuk pret koalicione pas zgjedhore.

Sipas Racit, nuk pritet të ketë befasia midis Lëvizjes Vetëvendosje me dy partitë opozitare, PDK dhe LDK-në.

“Të tria kanë dallime të mëdha politike edhe ideologjike natyrisht ka pasë shumë biseda, diskutime nëpër rrjete sociale por në realitet Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të jetë e para edhe vazhdon të jetë bindshëm e para sipas sondazheve që po qarkullojnë e që kamë goxha shumë kredibile”, ka thënë Raci.

Sipas analistit polik, beteja do të mbetet për vendin e dytë.

“Beteja do të mbetët për vendin e dytë dhe të tretë, dmth beteja është mes PDK-së dhe LDK-së e cila do ta merr vendin e dytë ose PDK-ja ka gjasa që do ta ruajë vendin e dytë”, deklaroi Raci.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt 2025.