Pas shtimit të forcave ushtarake të Serbisë afër kufirit me Kosovën pati reagime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian si dhe nga liderët vendor të cilët shprehën shqetësimin e tyre për vendosjen e trupave serbe pranë kufirit me Kosovën.
Analisti, Gazmir Raci ka thënë se Republika e Kosovës është nën kërcënim të jashtëzakonshëm nga Serbia e nxitur nga Federata Ruse, për qëllimet e njohura tashmë.
Raci përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se komunikata e Qeverisë së Kosovës që njofton mbi riaktivizimin e bazave ushtarake dhe dislokimet e forcave serbe duhet të trajtohet me seriozitet nga bashkësia ndërkombëtare.
“Serbia është e njëjta e viteve 90. Vetëm po e harrojnë faktin se shqiptarët sot janë në shekullin e tyre. Ka kaluar koha kur serbët kanë hyrë lirshëm dhe kanë masakruar civilë të pambrojtur në Kosovë”, ka thënë Raci.
Ndërkaq, presidenca si dhe Qeveria e Kosovës kërkuan nga Serbia tërheqjen e trupave nga kufiri me Kosovën.
Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të tërheq forcat ushtarake të vendosura pranë kufirit me Kosovën.
Vuçiq tha sot se nuk ka ndërmend të urdhërojë ushtrinë që të kalojë vendkalimet kufitare me Kosovën.