Analisti politik, Gazmir Raci, ka folur lidhur me takimin informal sot që është mbajtur në Tiranë lidhur me Procesin e Berlinit, e në të cilin nga liderët ballkanik nuk ka marrë pjesë vetëm kryeministri Albin Kurti.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, Raci ka theksuar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është fajtori se pse në takime të tilla Kosova nuk është pjesëmarrëse.
“Këso lloj sjelljesh paternaliste Edi Rama kishte edhe ndaj Ramush Haradinajt dhe Isa Mustafës, ky është një problem që ai duhet ta trajtojë me veten. Sepse me tre kryeministra të Kosovës ai ka problem sa i përket disa çështjeve rajonale, duket që ky ‘Open Ballkani’ i dështuar ka qenë ‘molla e sherrit’ në mes të Shqipërisë dhe Kosovës”.
“Sepse Shqipëria ka gabuar kur ka nisur një iniciativë të tillë, të paktën pa u konsulu me Kosovën, është dashtë paraprakisht të konsultohet para se të nisë një iniciativë të tillë. Është gabimi i dytë që Rama e bën me Kosovën kur anulon mbledhjen njëanshëm dhe pastaj del në televizion e sillet si aktor. Nëse shikohet në retrospektivë ka një problem mes Z. Ramës dhe kryeministrave të Kosovës”.