Analisti politik, Gazmir Raci, ka folur për takimin e sotëm në Bruksel mes emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, me dy kryenegociatorët e të dyja shteteve.
Raci tha se është dashur një takim trepalësh mes Lajçakut, Bislimit e Petkoviqit, pasi sipas tij, çfarëdo lloj dakordimi që mund të arrihet, pa një takim të tillë, nuk mund të quhet e finalizuar.
“Duken sinjale pozitive por për mendimin tim nuk janë të arritura, pasi përsëri po rifillojmë të diskutojmë për çështje teknike”.
“Do të doja që ky dialog të zhvillohet për çështje të mëdha, e nuk është koha që tash të hyjmë në një rreth për terma të referencës për këtë apo për atë komitet”, tha Raci.
Tutje, ai tha se është e habitshme që pala kosovare ka vazhduar të jetë pjesë e një dialogu teknik.
“Tash, kemi edhe një plan të ri, që i bie se plani franko-gjerman do t’i ketë tri dokumente dhe Zoti e di se kur do të fillojë së zbatuari”.
“Andaj, konsideroj se nuk koha për shkak të zhvillimeve gjeopolitike por edhe të atyre në veri, të hyjmë përsëri në ciklin e bisedimeve teknike sepse nëse lëshohemi prapë në këto çështje teknike, druaj se do të mund të përfundojmë në një situatë të tensionuar në qeveri”, tha Raci.
Kurse, për sa i përket çështjes së energjisë, Raci tha se është befasi që u fol në Bruksel për një marrëveshje komerciale mes KEDS-it dhe Elektroseverit.