Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Radio “Kosova e Lirë” me akuza kundër Nusret Pllanës: Uzurpoi Bunkerin në Malet e Berishës me mbështetjen e këtij politikani

 
   

Radio “Kosova e Lirë” ka dalë me një reagim, ku ka drejtuar akuza kundër Nusret Pllanës, lidhur me Bunkerin në Malet e Berishës, duke thënë se e ka uzurpuar, duke u përkrahur fuqishëm nga Kryeministri Albin Kurti, i cili e vizitoi bunkerin para një jave.

Reagimi vjen pasi Pllana dërgoi dje një ftesë për zbulimin e Obeliskut të Bunkerit të Radios “Kosova e Lirë”.

“Me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës nga barbaria serbe , dhe 25 vjetorin e përfundimit të suksesshëm të transmetimit të programeve të Radios “Kosova e lirë”(21 qershor 1999), ju ftojmë të merrni pjesë në zbulimin e OBELISKUT të Bunkerit të Radios “Kosova e lirë”, më 21 qershor 2024, në ora 13:00, në majen e lartë të malit Pallanik, në fshatin Berishë”, thuhet në ftesë.

Në reagimin e Radios “Kosova e Lirë” thuhet se disa muaj më parë Pllana dhe reporteri Martin Cuni, janë ndarë edhe publikisht nga pjesa e përbashkët e stafit, “me qëllim të uzurpimit e përvetësimit të Bunkerit të Pallanikut, ku Radioja ka transmetuar program nga 8 prilli deri më 21 qershor të vitit 1999”.

“Me rastin e  25-vjetorit të  kryerjes së misionit informativ,  historik, gjatë luftës së UÇK-së, dhe aktivitetin e shumanshëm të deritanishëm për 25 vjet, të Radios-Kosova e Lirë,  ky staf shkizmatik pa paralajmërim, duke qenë i përkrahur fuqishëm nga politika aktuale, konkretisht nga Albin Kurti,  i cili para një jave ka vizituar  bunkerin, shënon këtë ditë, ndaras, pikërisht në kohën kur mbahet manifestimi  jubilar në ambientet e Muzeut të Radios-Kosova e Lirë, në fshatin Berishë. “Shfaqja” e Nusret Pllanës dhe “stafit” të tij në përurimin e Bunkerit të Pallanikut, nuk ka të bëjë me Radion-Kosova e Lirë ( Reagim dhe sqarim publik i drejtorisë së Radios)”, thuhet tutje në reagim.

Në reagim tutje thuhet se Pllana duhet të jap llogari publike se në emër të kujt janë marrë mjetet për ngritjen e bunkerit dhe ndërtimin e rrugës.

“Radio-Kosova e lirë ka qenë, është dhe do të mbetet për jetë e mote, si vlerë e luftës dhe e paqes,  në vendin tonë. Andaj ata që pretendojnë të ndajnë, ta copëtojnë, për interesa politike apo për përfitime grupore, u bëjmë me dije se Shtëpi-Muze në Berishë, vendi te ‘Rezja e Baliqit, ‘Te Maja e Pallanikut, pastaj selia e parë, në Krojmir, selia qendrore në Prishtinë, janë një tërësi e cila nuk mund të tjetërsohet, të ndahet  as të copëtohet, sipas tekeve të individëve të caktuar, cilët do qofshin ata.

Nusreti dha klani i tij duhet të japin llogari publike se në emër të kujt, të cilit institucion, shoqatë apo  firmë,  ka vjel mjete për ngritjen e bunkerit dhe ndërtimin e rrugës, të tregojë konton bankare dhe shumën e grumbulluar për këtë destimin, të tregojë donatorët dhe marrjen kesh të parave. Në rast të mospublikimit do të ushtrohet padi penale konform ligjeve, meqë ka manipuluar në emër  të Radios-Kosova e Lirë, por nuk ka asnjë vendim, asnjë pëlqim asnjë kërkesë, asnjë dokument valid në këtë segment”, thuhet tutje.

Bunkeri është vizituar para një jave nga Kryeministri Albin Kurti, i cili tha se tash ky bunker është nën përkujdesjen e shtetit.

“Radio “Kosova e Lirë” ishte radio e Kosovës që luftonte për liri. Lirinë e medias sot, nuk do ta gëzonim dot pa luftën për liri. Gëzohem që kjo vlerë e veçantë e luftës, ky studio-bunker, tani është nën përkujdesjen e shtetit tonë. Një mirënjohje dhe urim i veçantë u takon çlirimtarëve lajmëtarë. Urime 25-vjetori i çlirimit të vendit!”, shkroi Kurti.