Të enjten ka nisur zbatimi i Urdhrit Ndalues lidhur me pasuritë e paluajtshme të Milan Radoiçiqit, kryekriminelit të veriut të Kosovës, i identifikuar edhe si udhëheqës i sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Këtë e ka bërë të ditur, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Ministria e Drejtësisë, përmes zyrtarëve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, ka nisur zbatimin e Urdhrit Ndalues përfundimtar me masë të përkohshme, lidhur me pasuritë e paluajtshme në rastin Banjska.
Vila e Milan Radoiçiqit, e cila pas sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë është bastisur nga policia e Kosovës, ka ngritur pyetjen për ligjshmërinë e pasurisë së ish-nënkryetarit të Listës Serbe.
Në këtë drejtim, mediat serbe kanë shtruar pyetjen se si fitoi kaq shumë pasuri “mbrojtësi i serbëve në veri të Kosovës” dhe a është ai një “Pablo Escobar”?
Bëhet fjalë për një vilë me luks të madh në bregun e liqenit në veri të Kosovës – pronari i së cilës është Milan Radoiçiq – siç pohon policia e Kosovës dhe askush nga pala serbe nuk e mohon.
Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kohë më parë ka folur për vilën e Milan Radojiçiqit buzë liqenit të Ujmanit.
Në konferencë për media, ai kishte bërë të ditur se vila është e ndërtuar në tokën e Agjencisë Pyjore të Kosovës, dhe se “bypass” i tunelit është i uzurpuar nga ky kompleks i Radoiçiqit.
Sveçla ka treguar se është në bisedime me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, që kjo pronë t’i kalohet Ministrisë së Punëve të Brendshme “e pastaj të shfrytëzohet nga Policia e Kosovës për stacion për njësitin e barkave në Departamentin e Kufirit”.
Pas bastisjes që u bë në pronat e tij në veri, ditë më parë, Prokuroria doli edhe zyrtarish me njoftim, ku tregoi në detaje për gjërat që ka konfiskuar.
Mirëpo, pavarësisht këtyre aksioneve dhe fletarrestit të lëshuar nga INTEPOL-i, Radoiçiqi vazhdon të jetë i lirë.
Juristët për “Bota sot” treguan sa ka gjasa që të ndodhë një ekstradim i kryekriminelit serb, derisa kërkuan reagime më të ashpra dhe presion të ndërkombëtarëve ndaj Serbisë.
Kelmendi: Kosova duhet të insistojë më shumë në ekstradimin e Radoiçiqit me grupin e tij terrorist në Kosovë
Muhamet Kelmendi
E për këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi.
Së pari, tha se se kriminelin Radoiçiq po e strehon Serbia dhe se vështirë se do pranojë ta ekstradojë atë, pasi aktin terrorist të Banjskës e cilëson si luftë të kombit serb.
“Sulmi terrorist në Banjskë është i dënueshëm me ligj dhe natyrisht se ka edhe përgjegjësi të rëndë penale.
Krimineli Radoiçiq po strehohet në Serbi. Ky është akt i ndalueshëm me normat ndërkombëtare dhe kërkohet të ekstradohet terroristi Radoiçiq tek organet në Kosovë. Në fakt i tërë grupi duhet të ekstradohet në Kosovë dhe të përgjigjen.
Këtë nuk e bënë Serbia. Për këtë shtet (Serbinë), akti si në Banjskë është i “ligjshëm” dhe hynë në kuadër të luftës “çlirimtare” të kombit serb.
Së këndejmi nuk ekstradohet, strehohet dhe mbahet në Serbi”.
Gjithashtu, Kelmendi përmendi faktin se si shteti serb po organizon akte terroriste dhe po i armatosë grupet kriminale, gjë për të cilën tha se duhet të angazhohen dhe të marrin masa ndërkombëtarët.
“Serbia është agresore dhe luftarake, nga Beogradi vijnë aktet terroriste dhe edhe organizohen, udhëhiqen e armatosen.
Këtu nuk ka “përgjegjësi” për shtetin serb.
Përgjegjësia varet nga niveli i angazhimit të BE-së, NATO-s, SHBA-sëe dhe Anglisë. Sa këto shtete e organizata angazhohen aq kemi edhe përgjegjësi për aktet e tilla terroriste të Serbisë në Kosovë”, shpjegoi njohësi i çështjeve kushtetuese.
Ndër të tjera, ai kërkoi nga Kosova që të insistojë më shumë në ekstradimin e Radoiçiqit, derisa tha se shtetit tonë i jep fuqi fakti se Serbia ka ushtruar agresion.
“Për Kosovën është akt terrorist. E kërkon për të dhënë përgjegjësi dhe e sekuestron pasurinë e kriminelit Radoiçiq në Kosovë.
Kosova kërkohet që më ashpër të insistojë nga Serbia për ekstradimin e grupit terrorist të aktit në Banjskë.
Këtë veprim duhet ta lidhë edhe me raportet ndërshtetërore dhe të paraqesë kusht për takime me shtetin serb, përgjegjësinë e grupit të Radoiçiqit.
Akti i tillë është agresion i Serbisë ndaj Kosovës dhe me norma ndërkombëtare është e ndaluar dhe e dënueshme. Kjo i jep fuqi Kosovës në raport me Serbinë pranë mekanizmave ndërkombëtarë, kudo në botë”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.
Burjani: Serbia nuk është e interesuar që të zbardhet rasti i Banjskë
Blerim Burjani
Ndërsa, juristi Blerim Burjani u shpreh pesimistë se Serbia mund ta ekstradojë Radoiçiqin.
Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se kryekrimineli po trajtohet si hero në shtetin serb, pavarësisht historisë së tij kriminale.
“Pak e hiq ka shpresë që Serbia do ta dorëzojë Radoiçiqin tek organet e Kosovës, disa herë bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar t’i dorëzohet organeve të rendit në Kosovë, kjo nuk ka ndodhur deri më tani, por nuk do ndodhë as në të ardhmen.
Në Serbi, Radoiçiqi trajtohet si hero, përkundër asaj se ai është kriminel, abuzues, bandit biznesi dhe mafi droge”.
Krahas kësaj, ai mirëpriti konfiskimin e pasurisë së Radoiçiqit, duke thënë se kjo është një gjë pozitive.
Derisa, tregoi arsyjet se pse Serbia nuk dëshiron të zbardhet rasti i Banjskës.
“Konfiskimi i pasurive të paligjshme të fituara me kontrabandë dhe krime ekonomike është dashtë të ndodhë herët a vonë. Kjo është pozitive dhe duhet vazhduar kapjen e tij nga organet e rendit.
Serbia duhet ta bëj një hap të ekstradimit në Kosovë, por nuk është e interesuar që të zbardhet rasti i Banjskës, ku dyshohet se Serbia qëndron prapa sulmeve.
Pra, për këtë dhe shumë gjëra të tjera ky kriminel nuk i dorëzohet Kosovës”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.