Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Transatlantik të Europës Juglindore që është zhvilluar në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e që në qendër të diskutimeve kishte forcimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe SHBA-së.
Rafuna, në emër të Republikës së Kosovës, nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit “Fuqizimi i bashkëpunimit turistik transatlantik në mes të Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve të Bashkuara” që ishte dhe pika kulmore e këtij forumi dy-ditor.
Forumi u organizuar nga “Transatlantik Leadership Network” në bashkëpunim me “Atlantic Council” dhe u mbajt në Capitol Building, në selinë e Senatit dhe të Kongresit Amerikan.
Për dy ditë rresht, pjesëmarrësit kanë diskutuar për mundësitë dhe sfidat e thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe SHBA-së, me theks të veçantë te rëndësia e bashkëpunimit në sektorin e energjisë, të turizmit, bankave e financave dhe digjitalizimi.
Ndër folësit kryesorë në panelet e organizuara për dy ditë ishin edhe Zëvendës-Asistent-Sekretari për Europë dhe Euroazi në Departamentin për Tregti të SHBA-së, David S. De Falco, drejtori i lartë Qendrës Europiane të Atlantic Council, Jorn Fleck, Presidenti i Transatlantic Leadership Network, Daniel Hamilton, kryetarët e odave ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të qeverive të këtyre vendeve, të komunitetit të biznesit dhe të organizatave ndërkombëtare.