Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ragip Xhaka kundër që Kurti të përzihet në zgjedhjet e Zvicrës: S’i shërben interesave të shqipëtarëve

Kreu i Degës së PDK-së në Zvicër, Ragip Xhaka, ka dalë kundër që kryeministri Albin Kurti të përzihet në zgjedhjet e Zvicrës. Xhaka ka thënë se një gjë e tillë mund të jetë vetëm e dëmshme dhe ta përçajë opinionin.

Ai ka thënë se shqiptarët që jetojnë në Zvicër duhet të jenë të lirë që të votojnë sipas bindjeve të tyre dhe pa direktiva të cilat mund të lëndojnë raportet ndërshtetërore mes Zvicrës dhe Kosovës.

“Bashkëatdhetarët tanë duan dhe duhet të jenë të lirë që të votojnë sipas bindjeve të tyre – pa direktiva të cilat mund të lëndojnë edhe raportet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Është e drejtë legjitime dhe e patjetërsueshme, për secilin shqiptar që jeton në Zvicër, që të mbështesë këdo prej kandidatëve nga të gjitha partitë që marrin pjesë në zgjedhje. Është fat i mirë që çdo ditë e më shumë po rritet numri i kandidatëve shqiptarë për poste politike”, thuhet në reagimin e Xhakës.

Ai ka bërë thirrje që akterët politik në Kosovë të tregojnë maturi meqë përzierja në zgjedhjet e Zvicrës nuk kontribuon në favor të shqiptarëve që jetojnë atje.
“Prandaj, ftoj të gjithë akterët politik në Kosovë që të tregojnë maturi dhe të sillen konform përgjegjësive që u takojnë, sepse animi dhe ndërhyrja e partive politike nga Kosova në zgjedhjet e Zvicrës nuk i shërben interesave te bashkëatdhetarëve tanë këtu”, ka theksuar ndër të tjera ai.

Reagimi i plotë:

Shqiptarët në Zvicër, përmes punës, kontributit dhe qytetarisë së tyre, ka vite që janë pjesë e rëndësishme dhe përbërëse e këtij shteti. Ne jemi pjesë aktive në jetën publike, me të drejta të barabarta dhe kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin e shtetit zviceran – qoftë edhe përmes pjesëmarrjes së vazhdueshme në zgjedhje lokale dhe nacionale – si votues apo si kandidatë.

Përfshirja e partive politike të Kosovës në zgjedhjet zvicerane, në rastin konkret e Kryeministrit të Kosovës, nuk i shërben kësaj harmonie. Në fakt, kjo ndërhyrje mund të jetë vetëm e dëmshme, duke hutuar mërgatën dhe përçarë opinionin.

Bashkëatdhetarët tanë duan dhe duhet të jenë të lirë që të votojnë sipas bindjeve të tyre – pa direktiva të cilat mund të lëndojnë edhe raportet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Është e drejtë legjitime dhe e patjetërsueshme, për secilin shqiptar që jeton në Zvicër, që të mbështesë këdo prej kandidatëve nga të gjitha partitë që marrin pjesë në zgjedhje. Është fat i mirë që çdo ditë e më shumë po rritet numri i kandidatëve shqiptarë për poste politike.

Prandaj, ftoj të gjithë akterët politik në Kosovë që të tregojnë maturi dhe të sillen konform përgjegjësive që u takojnë, sepse animi dhe ndërhyrja e partive politike nga Kosova në zgjedhjet e Zvicrës nuk i shërben interesave te bashkëatdhetarëve tanë këtu.

Me respekt

R.Xhaka