Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Rajoni i kërcënuar nga agresioni rus”, ish-ministri i Jashtëm shqiptar reagon pas inaugurimit të bazës së NATO-s në Kuçovë: Shqipëria ka nevojë për rekrutime në ushtri

Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo i ftuar në një studio televizive, duke komentuar hapjen e bazës ajrore sot në Kuçovë u shpreh se ajo është një ngjarje e rëndësishme ushtarake dhe politike pasi tregoi se Shqipëria është anëtare aktive e NATOs.

Ai tha se rajoni kërcënohet nga agresioni rus dhe se destabilizimi i Ballkanit është shënjestër e Rusisë. Sipas tij politika shqiptare ka braktisur vigjilencën për mbrojtjen, ndërsa theksoi se Shqipëria ka nevojë për rekrutime në ushtri.

Intervista e plotë

1.Zoti Milo hapja e bazës së NATO-s në Kuçovë është ndër të pakta ngjarje në vendin tonë që është përshëndetur si nga qeveria ashtu dhe opozita. Çfarë mesazhi jep Shqipëria përmes kësaj baze, në kulmin e një lufte në mes të Europës?

“Në radhë të parë fakti që e kanë përshëndetur dhe qeveria dhe opozita është akt normal sepse të dyja palët në çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe kontributin e vendit në këtë organizatë kanë të njëjtin qëndrim dhe kanë kontribuar të dyja palët. Inaugurimi i bazës ajrore taktike të NATOs në Kuçovë sot është padyshim një ngjarje e rëndësishme jo vetëm ushtarake por dhe politike sepse jep mesazhe shumë të qarta për dy arsye kryesore, që Shqipëria është anëtare aktive dhe besnike e NATOs në një koordinim të plotë si një anëtare e kësaj organizate dhe e dyta momenti kur po organizohet dhe po funksionon kjo bazë është shumë i rëndësishëm dhe jep mesazh të qartë për përpjekjet e Shqipërisë për tu koordinuar me vendet e tjera për të përballuar rreziqet që i kanosen sot Evropës.”

2.A qëndron vërtet një rrezik rus në Rajon… sikurse tha sot kryeministri Rama? Sa siguri ofron kjo bazë për vendin dhe për rajonin në tërësi?

“Që ka një rrezik të Rusisë për Ballkanin perëndimor kjo është mëse e sigurtë dhe është nënvizuar nga shumë faktorë rajonal dhe ndërkombëtar sepse janë fakte konkrete që Rusia bën përpjekje për të ndërhyrë në Ballkanin perëndimor për të pasur gati një rrastë për të përdorur që të lehtësojë dhe pozitën e saj në Ukrainë dhe të arrijë objektivat që ajo i ka vënë vetes. Është një nga objektivat sepse atë e kanë shqetësuar gjithnjë hapat që kanë hedhur vendet e Ballkanit perëndimor për tu anëtarësuar në NATO. Rusia gjithmonë e ka konsideruar këtë zonë si një domen të influencës së saj dhe është një kërcënim real për Ballkanin perëndimor.”

3.Nga ana tjetër është folur për shtim të avionëve ushtarakë dhe për riaktivizim të fabrikave të prodhimit të armëve. Por mungojnë rekrutimet e reja në ushtri… Pse ka rënë interesi për të qenë pjesë e ushtrisë, dhe a mendoni se duhet investuar në këtë sektor?

“Për mendimin tim kjo është një nga gabimet e mëdha dhe përgjegjësitë e madha që ka politika shqiptare e cila ka braktisur një nga detyruat kryesore që ka çdo shtet dhe qeveri për të mbajtur vigjilencën dhe për të mbajtur një mbrojtje optimale në raport me kërcënimet që mund ti vijnë një vendi nga kërcënimet nga jashtë. Ka rreziqe dhe kërcënime të ndryshme që në përputhje me to të përshtatë mbrojtjen e vendit dhe kërcënime të tilla ndaj Shqipërisë nuk kanë munguar. E para që infrastruktura është modernizuar dhe natyra e kërcënimeve është transformuar dhe ka kërcënime të reja të natyrave të ndryshme siç janë ato kibernetike apo të natyrave të tjera që s’kanë ekzistuar në të kaluarën prandaj duhet menduar që Shqipëria ti përshtatet këtyre kërcënimeve dhe të marrë masa për ti përballuar. Shqipëria ka nevojë të përgatitet dhe të ketë një ushtri, edhe vendet e tjera rreth Shqipërisë janë anëtare të NATOs por ato kanë ushtri, infrastrukturë sepse rreziku njëherë vjen dhe nuk pret që në rast se si ke të fillosh të përgatitesh. Kërcënimi nuk të pyet se kur vjen. Prandaj mua dhe besoj dhe shumë të tjerë çështja e riorganizimit të mbrojtjes së Shqipërisë në kuadër të NATOs duhet parë. Duhet të kemi një sistem të tillë rekrutimi, mobilizimi të forcave ushtarake që të mundet Shqipëria të përballojë dhe duhet të kemi një minimum force teknike infrastrukturore që ta vëmë në veprim në momente të paktën urgjente si dhe duhet të kemi dhe aeroplanë dhe helikopterë ushtarakë, por duhet të kemi pse jo dhe tanke moderne të cilat në një moment të caktuar mund të duhen për të luftuar ato veprimet klandestine të forcave të cilat veprojnë. Duhet të ketë më shumë dhe nuk duhet të presim që gjithmonë në bregdetin tonë këto veprime të ruhen nga guardia di finanzia. Mbrojtja është një nga çështjet dhe institucionet që dëshmon sovranitetin e një vendi.”

4.Edhe kryeministri Kurti ka deklaruar sot se Serbia po kërcënon rajonin, ndërkohë që kërkoi përshpejtim të integrimit. Pse mendoni ju se BE nuk po përdor mekanizma më të fortë për të ulur në tryezë Kurtin dhe Vuçiç për vijimin e dialogut…?

“BE është vërtetë shumë i kujdesshëm për të zbatuar një politikë e cila kërkon të mos e largojë Serbinë nga rruga e afrimit me perëndimin. Është pikërisht kjo arsyeja për një çështje të madhe strategjike në raport dhe me konfliktin në Ukrainë dhe Serbisë me Rusinë që e detyrojnë BE të bëjë veprime të tilla që synojnë dhe të afrojnë Serbinë me BE dhe ti japë disa kredite në rrugën e saj të integrimit evropian dhe ti thotë në të njëjtën kohë që të jetë e kujdeshme në raportet me Rusinë. Për mendimin tim BE s’ka letra të tjera mundësi për të luajtur në Ballkanin perëndimor për sa kohë që Rusia është duke investuar në Serbi dhe BE është shumë i kujdesshëm që në vend të vënë vetulla të mos nxjerr sytë sepse kjo është situata në ballkonin perëndimor, prandaj dhe Brukseli nga deklaratat dhe veprimet është i kujdesshëm të mos tejkalojë masën kritike ndaj qëndrimeve ndaj Rusisë dhe kjo është pikërisht ajo që Kurti duhet ta ketë parasysh në deklarata dhe qëndrimet e tij sepse çdo veprim qoftë dhe i drejtë i Kurtit mund të jetë në momentin aktual një qëndrim që shkon në favor të Kosovës ku logjika është e drejtë që SHBA është e kujdesshme në qëndrimet me Serbinë sepse kërkojnë ta mbajnë Serbinë afër dhe duke mos e lejuar të përfundojë në prehrin e Rusisë. Është një lojë e madhe strategjike dhe si e tillë dhe BE dhe SHBA nuk mund ta mbështesin Kosovën në disa veprime dhe qëndrime të Kurtit.”, përfundoi Milo.