Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke folur për iniciativën e ‘Ballkanit të Hapur’ ka thënë se kjo nismë ishte e suksesshme.
Madje ai ka shtuar se do ta ribëntë 1000 herë këtë nismë, po të kthehej në kohë.
““Ballkanin e Hapur” 1000 herë të rikthehesha prapa, 1000 herë do ta ribëja. “Ballkani i Hapur” nuk është një nismë përjashtuese. Është një nga 72 iniciativat që ka në këtë rajon për të cilat ju edhe nuk keni dëgjuar fare, jam i sigurtë. Siç edhe unë vet kur e kam lexuar shifrën 72 jam habitë. Dhe çfarë e keqe i ka ardhë nga “Ballkani i Hapur” rajonit, përveç të mirave?”, i është përgjigjur Rama pyetjes së gazetarit.
Sipas kryeministrit të Shqipërisë, kjo nismë ka rritur tregtinë mes vendeve.
“Cilat janë të mirat? Merrni shikoni shifrat e tregtisë midis vendeve dhe mos harroni asnjëherë që çfarë është bërë nuk zhbëhet. Përkundrazi çfarë është bërë ka shërbyer që edhe “Procesi i Berlinit” që është ombrella dhe tek e cila unë dua të fokusohem 100 % pasi Shqipëria është pjesë aty, ka përfituar nga “Ballkani i Hapur” pikërisht shtysën. Kështu që nuk e kuptoj fare pse ka dyshime për këtë kur faktet flasin qartë”, ka shtuar Rama.