Presidenti i Shqipërisë, Edi Rama, e ka mirëpritur kërkesën e Presidentes Vjosa Osmani, e cila tha se Kosova duhet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Rama në një konferencë për media tha se nuk e di se cili është mendimi i ndërkombëtarëve për këtë kërkesë, por se kërkesa e Osmanit është një hap pozitiv në drejtimin e duhur nga ana e Kosovës.
Ai tha se një draft i asociacionit, brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, duhet të vihet në tryezë sa më parë.
“Më vjen mirë që presidentja Osmani ka kërkuar publikisht ndihmën e SHBA për draftin e asociacionit. Nuk e di se cili është mendimi i aleatëve strategjikë të Kosovës dhe Shqipërisë për këtë kërkesë por në thelb kërkesa e e Presidentes së Kosovës është pozitive dhe është një hap pozitiv më në fund në drejtimin e duhur nga ana e Kosovës. Një draft i asociacionit të komunave me shumicë serbe, brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës duhet të vihet në tryezë një orë e më pare.”, tha Rama.
Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova duhet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, tha Osmani.