Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pasi ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se Mali i Zi e Maqedonia do të goditen sikur Ukraina, pasi që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Rama ka thënë se këto kërcënime janë “të rrezikshme” dhe “të papranueshme”.
“Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit”, ka shkruar kryeministri i Shqipërisë.
Tutje ai ka shkruar se nuk do të lejohet asnjë shtet “të na tërheqë prapa në të shkuarën”.
“Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme”, ka shkruar Rama në Twitter.