Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencë bashkë me presidentin ukrainas, Volodymir Zelensky ka thënë se vendi i tij do të vazhdojë që të përkrahë Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme.
Rama tha se janë të vetëdijshëm për kapacitetet e tyre dhe po ashtu për nevojën që Ukraina ka për mbështetjen e të gjithëve.
“E kemi bërë shumë të qartë dhe jam krenar të them se nuk është vetëm qeveria, parlamenti, vetëm institucionet, por para së gjithash, është i gjithë kombi, i gjithë populli që qëndron krah Ukrainës dhe e mbështet Ukrainën në mënyrë të palëkundur. Do të vazhdojmë ta mbështesim për aq kohë sa do të jetë e nevojshme e për aq kohë sa të ndodhë një paqe që zgjat. Shqipëria është një anëtare krenare e NATO-së, së bashku me të gjithë aleatët e NATO-s kemi dënuar agresionin dhe kemi bërë gjithçka kemi mundur dhe do vazhdojmë ta bëjmë për ta ndihmuar Ukrainën me të gjitha mjetet. Jemi të vetëdijshëm për kapacitetet dhe tona dhe jemi të ndërgjegjshëm se Ukraina ka nevojë për mbështetjen dhe ndihëm e të gjithëve”, tha Rama.
Tutje, Rama tha se lufta nuk ndalet duke çarmatosur viktimën, por duke e ndalur agresorin.
Me tej, ai ka treguar edhe një mesazh të marrë nga ekipi i cili po punon me instutucionet ukrainaes për ndërtimin e një fondi të teknologjisë së lartë.
“Sigurisht ne dëgjojmë shumë njerëz në Europë që deklarojnë se të ndihmosh dhe mbështesësh Ukrainën dhe t’i japësh mjete për t’u mbrojtur, është ajo që po nxit vazhdimësinë e luftës. Ata pretendojnë se ndalja e ndihmës për Ukrainën do të sjellë paqen. Kjo është absurde dhe cinike,. Nuk e ndalon luftën duke çarmatosur viktimës. E ndal duke ndalur agresorin, ndaj dua të përfitoj që t’u them atyre që duan të dëgjojnë se Ukraina meriton të mbështetet e të ndihmohet me të gjitha mjetet për t’u siguruar që çdo paqe që do vijë pas luftës, të jetë një paqe e drejtë, e bazuar kryesisht në parimet e planit 10 pikësh të presidentit Zelensky, të cilin e mbështesim dhe duam ta shohim të diskutohet nga kombet dhe bashkësia e tyre.
Putin ka dështuar në planin e tij pasi në vend të merret peng, Ukraina është bërë pjesë e vendeve të bashkuara për në rrugëtimin e integrimit në BE. Nuk kam veçse admirim për Zelensky dhe ukrainasit. Pak më parë mora një mesazh nga dikush që po punon me instiucionet ukrainase për të ngritur një fond të teknologjisë së lartë. Më tha thuaji Zelenskyt se ekipi jonë është absolutisht i mbresuar nga ukrainasit që kemi takuar dhe aftësitë, talenti e aftësitë e tyre”.