Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në fjalën e tij sot në seancën e jashtëzakonshme të kuvendit komunal, ka thënë se ligjshmërinë e vendimit për këmbimin e pronave e kanë nënshkruar pesë zyrtarë, “përfshirë ministrin e MAPL”.
“Si pasojë e shkrimeve spekulative, të njëjtit zyrtarë në Ministri të Pushtetit Lokal që kanë miratu ligjshmërinë, të njejtit e tërheqin ATË. Pa ASNJË ARGUMENT SHTESË, PA ASNJË FAKT SHTESË. Nuk janë NJË apo DY ZYRTARË, por janë PESË ZYRTARË TË NJEJTË QË KANË NËNSHKRU LIGJSHMËRINË E KËTIJ VENDIMI, përfshirë MINISTRIN E MAPL DHE MË PAS që të PESTIT E TËRHEQIN LIGJSHMËRINË E TIJ, përfshirë edhe ministrin.”
Rama tha se Ministria e Financave e ka suspenduar vlerësimin e pronave në bazë të spekulimeve në media.
“Ministria e Financave thotë se pas informatave nga mediat PO SUSPENDOJMË VLERËSIMIN E PRONAVE. Do të thotë, as fakte nga prokuroria, as nga policia, as ndonjë dëshmi tjetër të kërkuar nga Komuna, POR THOTË PAS RAPORTIMEVE NGA MEDIAT. Do të thotë një proces të cilin Ministria është e obliguar me ligj ta zbatojë, sikur i ka zbatuar me qindra vendime deri sot, thotë po e SUSPENDOJË, në bazë të spekulimeve në media. Njëkohësisht, me këtë, vepron në kundërshtim edhe me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023.”
Gjatë seancës së sotme, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka shfuqizuar vendimin e komunës për këmbimin e pronave. Menjëherë pas kësaj, nënkryetari i PDK’së, Uran Ismaili, ka njoftuar se PDK shkëput koalicionin qeverisës me LDK’në në Prishtinë.