Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rama premton anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030

Kryeministri i Shqipërisë,  Edi Rama ka kërkuar votën e qytetarëve shqiptarë teksa ka premtuar se deri në fund të vitit 2030 që përkon me mandatin e tij të katërt, Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

“Tani është përcaktuar qeveria si përgjegjëse për të mbuluar shpenzimet e votimeve me postë. Të gjithë ata që do të votojnë nga jashtë, do ta marrin zarfin e paguar. Të fusin fletën e votimit në zarfin që do të kthehet dhe ta kthejnë mbrapasht me postë. Regjistrohuni, regjistrohuni sepse kjo është jo vetëm historike për të gjithë ju që jeni jashtë. 11 Maji është vendimtar për Shqipërinë 2030 për ecurinë e procesit të anëtarësimit. Të gjithë ata që e kanë ndjekur Konferencën e Sigurisë në Mynih ku kishte një panel të posaçëm, me siguri kanë dëgjuar prononcimin e Kos, Shqipëria dhe Mali i Zi janë në pararaojë të këtij procesi. Në 2027, të mbyllen negociatat është plani. Në fund të mandatit të 4 të ngremë flamurin kuqezi në majën e shumëdëshiruar të BE. Kini parasysh se na kanë ardhur 2 letra, njëra në fund të Janarit dhe tjetra në fillim të Shkurtit për të hapur 2 grup-kapitujt e tjetë”, është shprehur Rama.

Gjatë fjalës së tij “Sy m’Sy” me qytetarët, Rama hodhi akuza ndaj kundërshtarit të tij politik, Sali Berishës, të cilin e ka riquajtur “buf kënete që ka marrë peng opozitën”.

“Shqipëria po përmbush ata që duhet të përmbushë, ndërkohë që këtu zien kazani me ujin e kënetës dhe me bufin e kënetës duke u fryrë të gjithë zjarreve të mundshme të të shkuarës që do të shuhen të gjitha dhe 11 Maji do të jetë fundi i fundit i një kënete me një buf që ka marrë peng opozitën shqiptare dhe i rri si një hije e mallkimit që prej 1912-ës Shqipërisë mbi kokë”, u shpreh ai./tvklan.al/