Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, ka reaguar pas dëmtimit të një pjese të kulmit të objektit të Komunës së Re si pasojë e erërave. Një vajzë ka mbetur e lënduar.
Rama përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar nga organet kompetente që ta hetojnë këtë rast.
”Sot, në objektin e Kryeqytetit në lagjen “Arbëria” për shkak të erërave të forta ka kolapsuar një pjesë e kulmit, ku për pasojë një person është lënduar dhe tani është nën kujdes mjekësor”.
“Menjëherë kam kontaktuar me familjarët e të lënduarës për t’iu qëndruar pranë në këto momente. Lutemi për shërimin e saj të shpejtë dhe të plotë. Si Kryetar i Kryeqytetit kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi”, ka shkruar Rama të enjten. /Gazeta Express