Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rama reagon pas Veliajt: Drejtorët e tij kanë punuar me një xhep të padukshëm, duke vjedhur shtetin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me arrestimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës nga SPAK

Rama është shprehur se mbështetja e tyre ndaj SPAK nuk është propagandë, po vullnet i hekurt politik.

Mes rreshtave, Edi Rama ka dalë kundër qëndrimeve të kryebashkiakut Veliaj, duke theksuar mazhoranca nuk komenton çfarëdoqoftë lidhur me vërtetësinë e akuzave të SPAK-ut, apo për këdoqoftë që SPAK-u merr të pandehur.

Ndërsa në fund të reagimit të gjatë, lë të kuptohet se drejtorët e Veliajt kanë punuar për t’u pasuruar personalisht.

“Prandaj qentë le të lehin, Shqipëria do të shkojë përpara, me qeverinë e Partisë Socialiste që do të ecë vetëm përpara, me Drejtësinë e Re që duhet të vazhdojë vetëm përpara, pa i lënë kusur askujt që përdor flamujt e partive, majtas e djathtas, lart apo poshtë, për të nxjerrë përfitime të paligjshme për veten a të afërmit e vet, duke punuar për shtetin me një xhep të dukshëm për të ardhurat nga puna dhe me një xhep të fshehtë për paratë e marra me korrupsion”, thekson Rama.

Reagimi i Edi Ramës:

S’mund të jem më shumë dakord me sa u tha sot kryebashkiaku Erion Veliaj qytetarëve të Tiranës, në mesazhin e drejtpërdrejtë lidhur me ndalimin nga SPAK-u të disa ish-drejtorëve e drejtorëve të bashkisë!

Mendësia e vjetër komuniste, fatkeqësisht ende shumë e pranishme në mënyrën e të parit të tjetrit si armiku që duhet shkatërruar (falë trashëgimisë së hidhur në një segment të tërë të politikës e të medias shqiptare të një komunisti fanatik, të konvertuar në liderin trushpëlarës të krejt atij segmenti që nga dita e parë e pluralizmit deri sot) nakatosur me thashetheme kafenesh, mllefe interesaxhinjsh dhe interesa gjobaxhinjsh, nëpër ekrane e portale që u ngjajnë tabelave të fletë-rrufeve të komunizmit, prodhon përditë baltë e helm me çështjet e drejtësisë! Po kësaj s’kemi ç’i bëjmë për sa kohë shpifjet e politikanëve dhe denigrimet e killerave mediatikë, janë bërë pjesë e jetës sonë publike të kthyer në një xhungël ku s’e merr vesh i pari të dytin, ku nuk debatohet me argumenta po vetëm propagandohet me akuza e bërtitet për të mos lënë tjetrin të flasë, ku liria e shprehjes është bërë liri e shpifjes, ku shpifësit përveçse me votë nuk ndëshkohen as me ligj e as me zakon, po vetëm zaptojnë me pafytyrësi që edhe në Kanunin e vjetër të shqiptarëve, edhe në çdo libër edukate të qytetërimit demokratik, konsiderohet shkelje e pafalshme.

Por ky i sotmi është përsëri rasti për të thënë me zë të lartë, se mbështetja jonë për SPAK-un nuk është propagandë, po vullnet i hekurt politik; qëndrimi ynë pa koment, sa herë SPAK-u godet brenda strukturave të ekzekutivit në çdo nivel, nuk është strukje, as frikë, po shprehje shembullore e vijës së kuqe mes nesh, partisë që qeveris e udhëheq Reformën në Drejtësi dhe Drejtësisë së Re që ka të gjithë mbështetjen tonë; goditjet e SPAK-ut ndaj kujtdqoftë në radhët e ekzekutivit, në çdo nivel të qeverisjes, që ka shkelur ligjin dhe ka tradhëtuar misionin tonë në shërbim të këtij vendi e të këtij populli, ne nuk i përjetojmë si gjëma, as si fajësi kolektive, po si një ndihmë të paçmuar në një luftë kundër korrupsionit, të cilën deri dje nuk e bënim dot sa e si duhej, pikërisht sepse mungonte krahu i drejtësisë së pavarur!

Kështu që edhe kjo çështja më e fundit e disa ish-zyrtarëve e zyrtarëve të bashkisë Tiranë, edhe qëndrimi i drejtë i Erionit sot, me të cilin bashkohem fjalë e presje, dëshmojnë edhe njëherë se ne as nuk e kontrollojmë SPAK-un, as nuk kemi ndërmend të ndryshojmë qasjen fuqimisht mbështetëse për SPAK-un, as nuk komentojmë çfarëdoqoftë lidhur me vërtetësinë e akuzave të SPAK-ut, për këdoqoftë që SPAK-u merr të pandehur dhe as nuk kemi asnjë lidhje me dokrrat e segmentit politik e mediatik, që prodhon përditë baltë e helm në seanca parlamentare, shfaqje televizive e kanale digjitale, ku lloj-lloj pjellash të mendësisë së errët inkuizicionale, na bëjnë gjyqe si ato të komunizmit, duke u përpjekur të na fusin të tërëve në çdo trastë e thes korrupsioni që hapet nga SPAK-u!

Ne jemi në këtë detyrë për të bërë Shqipërinë Europiane 2030 me reforma të vërteta, përpjekje të mëdha, vendosmëri absolute dhe me të gjitha forcat e ekzekutivit, gjyqësorit dhe legjislativit, ku punët janë të ndara e ku lavdi Zotit, popullit që e mbështeti fuqimisht hapjen e rrugës së Reformës në Drejtësi dhe Partisë Socialiste, e cila i hyri detit në këmbë për ta hapur këtë rrugë, tanimë s’jemi më vendi ku për 100 e kusur vite nuk u hetua e gjykua kurrë nga një drejtësi e pavarur, as edhe një person me pushtet politik a lidhje me të!

Prandaj qentë le të lehin, Shqipëria do të shkojë përpara, me qeverinë e Partisë Socialiste që do të ecë vetëm përpara, me Drejtësinë e Re që duhet të vazhdojë vetëm përpara, pa i lënë kusur askujt që përdor flamujt e partive, majtas e djathtas, lart apo poshtë, për të nxjerrë përfitime të paligjshme për veten a të afërmit e vet, duke punuar për shtetin me një xhep të dukshëm për të ardhurat nga puna dhe me një xhep të fshehtë për paratë e marra me korrupsion.