Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rama: Shqipëria e përkushtuar për sigurinë e Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, reagoi pasi Serbia ka dislokuar një numër të alrtë ushtarësh dhe artilerish pranë kufirit me Kosovën. Rama përmes një postimit në rrjetin social “X” bëri thirrje liderëve të dy vendeve që të veprojnë me maturi.

“Shqipëria i bashkohet thirrjes së Qeverisë së SHBA-së për deeskalim të menjëhershëm në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. I bëj thirrje lidershipit të Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë me përgjegjësi dhe maturi. Shqipëria është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”, shkroi Rama.

Në orët e mbrëmjes së 29 shtatorit, Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.

Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.

“Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimi (i grumbullimit të trupave ushtarake serbe) nuk mund ta them tani”, tha ai.

Megjithatë, Kirby tha se “madhësia” e trupave të grumbulluara është destabilzuese.