Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ramazani nën armëpushimin e brishtë në Gaza

Rrugën të cilën e bënte bashkë me bashkëshortin për në pazar tani e bën vetëm.

Xhamia në të cilën  shkonte gjatë Ramazanit është djegur, e shtëpia në të cilën priste e përgatiste iftarin për familjen tashmë nuk është.

Kështu e zuri muaji i shenjtë i myslimanëve, palestinezen Fatima al Absi, e cila thotë se ky Ramazan është i trishtë për të.

“Këtë Ramazan kam humbur shtëpinë time dhe kam humbur gjënë më të rëndësishme, që është burri im. Ky Ramazan është i trishtuar. Shikoni rrënojat, dëshmorët janë ende nën rrënoja. Edhe burri im ra dëshmor, e humba. E kujtoj në çdo moment, çdo minutë, në çdo namaz”, tha Fatima al Absi.

Për Al-Absi dhe banorë të tjerë të Gazës, këtë vit Ramazani filloi nën një marrëveshje të brishtë armëpushimi, e cila ndaloi luftën, që vrau dhjetëra mijëra palestinezë, dhe që shkatërroi Rripin e Gazës.

E frika se lufta do të rikthehet vazhdon për ta.

“Kemi frikë se do të kthehet lufta. Ne nuk duam luftë, duam paqe dhe siguri. Ne nuk duam asgjë tjetër përveç paqes dhe sigurisë dhe të gjithë vendet të qëndrojnë me ne. Kemi frikë se lufta do të kthehet përsëri, o Zot, mos e lër të kthehet. Kemi vuajtur shumë”, thotë ajo.

Ndërkohë, sirianët e pritën të lumtur këtë Ramazan.

Kjo pasi ai është  i pari për ta që nga rënia e sundimit të Presidentit Bashar al  Assad në dhjetor të vitit të kaluar.

“Para rënies së regjimit të Assadit , Ramazani as që dukej si Ramazan. Tani e ndjejmë. Restorantet janë të mbyllura, njerëzit nuk po e prishin haptazi agjërimin. Siç po e shihni, askush nuk pi duhan dhe askush nuk ha në rrugë” , shprehet Mohammad Kousa.

Shumica e vendeve në mbarë botën, përfshirë Arabinë Saudite, Indonezinë dhe Kuvajtin filluan Ramazanin të shtunën, ndërsa disa vende të tjera si Malajzia dhe Japonia, si dhe disa myslimanë shiitë, do të fillojnë agjërimin të dielën.

Ramazani pasohet nga festa islame e Fitër Bajramit, një nga festat më të rëndësishme të Islamit.