Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ramiz Lladrovci publikon fjalimin e tij nga mbledhja e PDK-së: Mos i përsëritni gabimet e zgjedhjeve lokale

 
   

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka publikuar fjalimin e tij të plotë nga mbledhja e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës.

Lladrovci qysh në fillim të një postimi të tij në Facebook, tha se ka dhënë përkrahjen e plotë për Bedri Hamzën, si dhe ka bërë ftesë që të mos përsëriten gabimet e zgjedhjeve të kaluara lokale.

“E mora fjalën, të japë dy tri vlerësime shumë pozitive, të jap përkrahjen e plotë për Kryeministrin tonë, dhe t’ju ftoj të mos i përsëritni gabimet e zgjedhjeve të kaluara lokale. Ju përgëzoj miku im, Memli, për vendimin e propozimit për Kryeministër të Bedri Hamzës.” – ka thënë ai.

Lladrovci tutje është shprehur se Hamza do të ketë sukses në ringjalljen e ekonomisë.

“Miku im Bedri, ju do të keni sukses ta ringjallni ekonominë, do ta ngritni më lartë, sepse, kjo ekonomi sot, ma poshtë nuk ka ku të shkojë. Dua të përgëzoj vendimin njëzëri për këtë propozim. Besoj fort se Bedri Hamza është kandidaturë e kompletuar, me përvojë, me aftësi të dëshmuara dhe njëherësh, gëzon respektin e përkrahjen edhe jashtë Kosovës, edhe nga aleatët tanë historik.” – u shpreh ai.

Kreu i Drenasit ka folur edhe për “keqbërësit”:

“Por, dihet se heqja dorë nga ideja, edhe kur është gabim, është veti e trushpëlarëve, dhe kërkohet betejë e fortë e demaskimit të mashtrimit. Demaskimi i mashtrimit nuk mund të bëhet me keqbërës, sepse, ata luftojnë për lëkurën e vet, jo për qytetarët, as për Kosovën, as për rrugën tonë të fuqizimit të shtetit.” – u shpreh ai.

Lladrovci ka bërë thirrje edhe që mos të mashtrohen nga joshjet e tyre:

“Ndryshe shihet e komentohet një foto në Prishtinë, ndryshe në komunën e Drenasit. Kërkoj të mos mashtroheni nga joshjet e keqbërësve, sepse, nëse vjen një me një foto, dy largohen nga ne edhe pa foto”.