Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Raporti i KE-së i qartë për Kosovën e Serbinë – Analistët: Institucionet t’i plotësojnë kushtet pa kushtëzime

 
   

Njohës të politikës së jashtme kanë thënë se Raporti i Progresit i publikuar nga Komisioni Evropian, thekson qartë detyrimet që duhet t’i përmbush Kosova në kuadër të marrëveshjeve të dakorduar me Serbinë.

Sipas tyre, zbatimi i marrëveshjeve është obligim për të dyja palët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, duke theksuar se në këtë raport kërkohet që Kosova të fillojë procesin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin evropian të prezantuar më 21 tetor 2023.

Profesori universitar Dritëro Arifi, ka thënë se çdo element i përmendur në Raport është përgjegjësi e Kosovës në raport me BE-në, duke shtuar se BE-ja vendos rregullat për vendet që dëshirojnë të anëtarësohen, ndërsa vendet aspirante duhet të pranojnë këto rregulla.

Arifi ka shtuar se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, cilido që të jetë kryeministër i Kosovës, e ka për obligim që të zbatojë marrëveshjet e dakorduara.

“Po duhet kuptuar që raporti i vendit që bëhet nga Komisioni Evropian një farë mënyre i shpërndahet të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian dhe të gjithë janë të informuar se çka po ndodh kush si dhe çka, një farë mënyre çdo gjë që është e shkruar në atë raport është përgjegjësi e Kosovës në raport me Bashkimin Evropian. Pra një farë mënyre që i bie që vendi ka jashtëzakonisht sfida që duhet të adresohen  për t’u përmirësuar sa i përket aspektit politik pra ajo është e ditur sepse edhe në aneksin e Ohrit pak a shumë është renditja apo radhitja e njëjtë, se çka duhet bërë Kosova, çka duhet bërë Serbia, e kështu me radhë. Një farë mënyre Bashkimi Evropian i vendos rregullat për vendet të cilat duan të anëtarësohen, dhe jo vendet që dëshirojnë të anëtarësohen nuk munden të vendosin rregulla, pra tash është në dorën tonë apo në angazhimin tonë si shoqëri si shtet si elite politike se a dëshirojnë të anëtarësohemi në BE apo jo, kjo është çështja”.

“Raportin e Progresit nuk mund ta anashkalojmë apo ta relativizojmë kjo është ajo çështja më e rëndësishme që ne si shoqëri duhet të bëjmë. Pyetjen sa i përket asaj është obligim tash po vërehet që është obligim ndërkombëtar si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, cilado Qeveri që thotë diçka ndryshe pra bënë manipulim apo mashtrim publik por nuk e thotë të vërtetën. Pra pas 9 shkurtit kush do që të jetë në pushtet, cili do kryeministër apo kryeministre duhet ta zbatojë këtë marrëveshje”, ka thënë ai.

Arifi po ashtu theksoi se duhet një implikim më i madh shoqëror për t’a pranuar këtë zotim, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilën sipas tij, Qeveria e Kosovës veç se e ka pranuar.

“Obligimet e Kosovës janë obligimet e Kosovës, kështu që e shoh vetëm si në mënyrë do më thënë nuk është një kahshe në esencën e asaj që Kosova i ka obligimet e veta, normalisht që Kosovës i bie që ta dërgojë draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese për interpretim dhe që Qeveria normalisht që nuk e bënë asociacionin ajo mandej ndërtohet në bazë të vullnetit të komunave, mirëpo kur ka një po themi një statut i cili është i pranuar nga Gjykata Kushtetuese, atëherë palët do të ulen dhe do të bisedojnë se si do të duket, si të formohet pra atu janë të gjitha konditat ligjore deri ku mund të shkoj. Kjo është e gjitha, por unë mendoj që duhet një konsensus shoqëror për këtë çështje, nuk mund t’a bëjë vetëm një qeveri, duhet një implikim më i madh shoqëror për t’a pranuar këtë si zotim të cilën Qeveria e Kosovës veç se e ka pranuar”, ka thënë ai.

Analisti politik, Afrim Kasolli, ka thënë se Raporti i Progresit thekson se marrëveshjet janë obligative për të dyja palët dhe kërkohet që Kosova të bëjë hapin e parë në zbatimin e tyre, duke filluar procedurat për formimin e Asociacionit, një proces që deri më tani nuk është realizuar.

Kasolli theksoi se Komisioni Evropian ka refuzuar justifikimet e Kosovës të cilat i ka dhënë deri tani për moszbatim të marrëveshjes, duke shtuar se aty kërkohet që draft-statuti i Asociacionit i propozuar nga BE-ja të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, pa mundësi diskutimesh dhe negociatat për variante të tjera të këtij draft-statuti.

“Në pjesën ku fokus e ka dialogun dhe normalizimin e raporteve ndërmjet  Kosovës dhe Serbisë në procesin e Dialogut që menaxhohet dhe lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Në Raportin e Progresit për këtë vit thuhet qartë, do të thotë janë të përcaktuara detyrimet që i ka Kosova ti plotësojë dhe ti zbatojë në raport me dy marrëveshjet e dakorduara në vitin e kaluar si marrëveshjen bazë të Brukselit ashtu edhe aneksin e  zbatimit të Ohrit, pra këto marrëveshje konsiderohen obligative ligjore për të dy vendet të kuptohemi jo vetëm për Kosovën, por është një moment signifikant sepse në raport thuhet se Kosova duhet ta bëjë hapin fillestar në drejtim të zbatimit të kësaj marrëveshjeve e cila duhet të pasohet pastaj nga Serbia për ti plotësuar obligimet e saja”.

“Nga Kosova kërkohet që të fillojë menjëherë procedurat për themelimin e Bashkësisë së Komunave serbe diçka që deri më tani Kosova nuk e ka bërë me lloj-lloj arsyetime siç e pamë para dy dite, dhe Kryeministri më pastaj nxori një arsyetim të ri se tha kjo nuk është detyrë e shefit të Qeverisë, nuk është detyrë e Kryeministrit, Kryeministri nuk themelon asociacione ajo është detyrë e komunave nëse duan të bashkëpunojnë dhe të bashkërendojnë ndërmjet vete dhe po ashtu nuk e ka dërguar as draft-statutin e këtij asociacioni të hartuar nga Bashkimi Evropian në Gjykatën Kushtetuese siç i është kërkuar madje siç dihet edhe i cili ka qenë një parakusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës”.

“Dy gjëra dalin të qarta, marrëveshja është obligative, justifikimet e Kosovës e pa nënshkrim nuk ka as zbatim nuk janë pranuar nga Bashkimi Evropian, nga Komisioni Evropian me këtë Kosova obligohet ta fillojë zbatimin e saj të dëshmojë hapa konkret dhe progres në drejtim të zbatimit të marrëveshjes dhe sa i përket draft-statutit të asociacionit tashmë thuhej se kjo çështje është e mbyllur. Nuk lejohen diskutime të mëtutjeshme por ai i hartuar nga Bashkimi Evropian në një farë mënyre është bërë edhe obligim ndaj institucioneve  të Kosovës të cilët kanë për detyrë që vetëm ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese dhe mbyllen diskutimet dhe negociatat për variante të tjera të këtij draft-statuti”, ka thënë ai.

Kasolli u shpreh se Raporti përcakton se BE-ja do të vlerësojë secilën palë veç e veç për përmbushjen e obligimeve dhe se Kosova nuk mund të kushtëzojë zbatimin e marrëveshjeve bazuar në veprimet e Serbisë, pasi shpërblimi ose ndëshkimi do të bëhet në varësi të përmbushjes individuale të detyrimeve të saj.

“Pa plotësimin e këtyre parakushteve siç thuhet qartë edhe në këtë raport nuk mund të ketë sukses as agjenda e integrimeve Evropiane, po ashtu në raport thuhet qartë se të dy vendet do të vlerësohen në përputhje se sa paraprakisht secila prej tyre i plotësojnë obligimet që dalin nga këto dy marrëveshje pra Kosova vlerësohet veçmas, Kosova nuk mund të arsyetohet se Serbia nuk është duke i zbatuar marrëveshjen edhe ne nuk kemi një farë luksi të mos e zbatojmë sepse vlerësimi do të jepet veçmas për Kosovën dhe veçmas për Serbinë dhe shpërblimi apo ndëshkimi do të bëhet në raport me sjelljet e tyre”, ka thënë ai.