Partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka raportuar se në tremujorin e tretë të vitit i ka shpenzuar 80 mijë e 944 euro.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjatë muajit korrik, sipas raportit të publikuar nga KQZ-ja, ka shpenzuar 51 mijë e 878 euro për paga, ndërsa për muajin gusht nuk ka raportuar shpenzime, teksa për muajin shtator, kjo parti tha se për paga i ka shpenzuar 3 mijë e 257 euro.
Në total, për paga AAK-ja në muajt korrik dhe shtator i ka shpenzuar 55 mijë e 136 euro, thuhet në raportin e KQZ-së.
Për shërbimet e telekomunikimit, përkatësisht për shpenzimet për internet, AAK gjatë gushtit ka raportuar se ka shpenzuar 809 euro, ndërsa në shtator 540 euro, që në total i bie 1 mijë e 349 euro.
1 mijë e 561 euro AAK-ja i shpenzoi në mobile dhe pajisje, ku 810 euro ishin për mobile ndërsa 430 nuk janë të përcaktuara.
Gjatë muajit korrik, kjo parti bëhet e ditur se i shpenzoi 2 mijë e 760 euro në blerje të tjera të mallrave dhe shërbimeve, ndërsa në gusht në këtë kategori i harxhoi veç 25 euro, që në total i bie 2 mijë e 785 euro.
Për lëndë djegëse, AAK-ja në gusht i shpenzoi 223 euro, ndërsa në shtator 74 euro.
Më tej, në raport thuhet se AAK-ja për mirëmbajtje dhe riparime të tjera, në korrik të këtij viti i shpenzoi 2 mijë e 686 euro, ndërsa për qira, në të njëjtin muaj i dha 3 mijë e 600 euro, ku 600 euro ishin të destinuara për pagesa të qirasë për makina.
150 euro, partia e Ramush Haradinajt i dha për shpenzime të marketingut në muajin gusht, teksa shpenzime të tilla nuk pati në korrik e shtator.
Për shpenzime të mbeturinave, AAK-ja i dha 180 euro në korrik, ndërsa për rrymë i dha 334 në shtator, që në total shpenzimet për kategorinë “shpenzimet komunale” kapën vlerën e 514 eurove.
E, shpenzimet më të mëdha, pas pagave, ishin te ato pa kategori, ku AAK për tre muaj i dha plot 12 mijë e 864 euro.
Në korrik, AAK-ja i dha 8 mijë e 192 euro, ku 2 mijë e 776 ishin për shpenzime të grupit parlamentar, 27 për “fee-banka”, 4 mijë e 20 euro për tërhqje për arkë, 1 mijë për pagesë të obligimeve për zgjedhjet e vitit 2021 dhe 368 për tatim në qira.
Ndërsa në gusht, nga kjo parti u dhanë 3 mijë e 566 euro, ku 3 mijë e 550 ishin “tërheqje për arkë” dhe 16 për “fee – banka”. Kurse në muajin shtator, për “tërheqje për arkë” AAK-ja shpenzoi 1 mijë e 100 euro, ndërsa për “fee-banka” veç 5.7 euro.