Në Raportin e Progresit për Kosovën, Komisioni Evropian i ka rekomanduar një sërë çështjesh Kosovës.
Nga ato që ndërlidhen me çështjet e gjyqësorit, funksionimit të qeverisë dhe parlamentit, e deri te trajtimi i peshqve në lumenjtë e Kosovës.
Komisioni Evropian, në Raportin e Progresit, ka thënë se mungon një databazë mbi llojet e peshqve në lumenjtë e Kosovës, si dhe një ligj për peshkimin dhe akuakulturën.
“Kosova mbetet në një fazë të hershme të përgatitjes në këtë kapitull dhe nuk ka bërë asnjë përparim”, thuhet në kapitullin e peshkimin dhe akuakulturës.
“Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk janë zbatuar dhe mbeten të vlefshme”, thuhet në raport.
Ndër rekomandimet e KE-së për vitin e ardhshëm janë miratimi i një strategjie shumëvjeçare kushtuar akuakulturës, hartimi i një ligji për këtë fushë, si dhe inventarizimi i llojeve të peshqve.
Ndryshe, politika e përbashkët e Bashkimit Evropian mbi peshkimin përcakton rregullat për menaxhimin e sektorit të peshkimit, mbron gjallesat e detit dhe kufizon ndikimin mjedisor në këtë sektor.
Kjo përfshin edhe vendosjen e kuotave për zënien e peshkut, menaxhimin e kapacitetit të flotës, rregullat për tregjet dhe akuakulturën dhe mbështetjen për sektorin e peshkimit dhe komunitetet bregdetare.