Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha se Qeveria e Serbisë i ka investuar 500 deri në 700 milionë euro në katër komunat veriore të Kosovës përmes shpërlarjes së parave, raporton teve1.info
Rashiq në emisionin debatues “Këndi i Debatit”, tha se zëvendësi i tij i ka zbuluar vetëm në Leposaviq 40-50 milionë euro të keqpërdorura nga institucionet e Serbisë, ndërkohë shtoi se një keqpërdorim i tillë ka ndodhë në katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe.
“Zëvendësi im është nga Leposaviqi, ai gjatë një muaji i ka shpallë informacionet për financime në faqen e tij në Facebook, pasi që serbët kur kanë dalë nga komuna i kanë lënë të gjitha dokumentet, dhe të gjitha dokumentet janë të përziera, të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë. Vetëm deri sot ai i ka shpallë rreth 20 milionë plus në këtë Komunë të investimeve fals të cilat janë shembull: nëse institucionet e Kosovës e bëjnë një projekt për një rrugë, gjatë asaj periudhe ose menjëherë pastaj e keni të njëjtin projekt që e financon Serbia.
Dhe ju i keni ‘belesh’ këta 2 milionë. Nëse diçka kushton 2 milionë, ju menjëherë atë shumë e keni gratis. Dhe nëse e përcillni deri më tani 20 milionë në një komunë të vogël, aty janë dhjetëra miliona, diku vlerësohet mes 40-50 milionë të cilat i kanë keqpërdorur nga institucionet e Serbisë dhe paramendoni vetëm në një komunë të vogël, paramendoni here 4, aty janë qindra miliona ‘belesh’. Llogaritet 500-700 milionë thuhet se janë investuar në këto komuna. A keni qenë ju ndonjëherë në atë pjesë? e dini gjendjen si është? Kjo dihet që krejt është bërë për shkak të shpërlarjes së parave. Dhe unë jam i sigurt që këto grupacionet e kriminelëve nuk i kanë marrë vetëm ata, por dihet kjo si shkon, me siguri e ka ndonjë sistem të shpërndarjes. Që do të thotë kjo për mua jo që nuk ka qenë befasi, por kjo ka qenë sekret publik”, tha Rashiq.