Kur kanë mbetur më pak se dy javë deri në Samitin e Berlinit ende nuk ka ndonjë marrëveshje mes qeverisë së Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar, përkatësisht Gjermanisë për heqjen e masës së sigurisë që ka vendosur tash e një vit ekzekutivi kosovar për produktet e importuara nga Serbia.
Megjithatë, Naim Rashiti, drejtor ekzekutiv i Grupit Ballkanik për hartimin e politikave është i bindur se në fund do të ketë një marrëveshje dhe Kosova do të jetë pjesë e Procesit të Berlinit.
“Si çdo agjendë e komplikuar rreth Kosovës, e para ndodh në mënyrë ad-hoc procesi, e dyta nuk zhvillohet dialog dhe negociata transparente dhe shpesh ato ngulfaten. Kjo ka ndodhur edhe me CEFTA-n ose diskutimet për marrëveshjet e reja për samitin e Berlinit dhe ka ardhur deri te një ngërç gjatë rrugës, në veçanti mes qeverisë së Kosovës dhe mikpritësit që e udhëheq Procesin e Berlinit. Por besoj që do të ketë një marrëveshje finale”, ka theksuar Rashiti në magazinën “Info Plus” në RTK.
Sipas tij, krejt këto aksidente po ndodhin vazhdimisht për shkak të një mungese të një dialogu të qëndrueshëm, një politike të jashtme të qëndrueshme dhe një planifikimi më të mirë në politikën e jashtme.
“Jam i bindur se janë duke u zhvilluar negociata e konsulta të përditshme dhe në fund do të ketë marrëveshje. Gjermania nuk do të lejojë që në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit të ketë ndonjë marrëveshje pa njërën palë. Prandaj, do të ketë negociata për një konsensus në fund”, ka shtuar ai.
Rashiti pret që të ketë marrëveshje të përbashkët, por thotë se këto zhvillime në thelb po e dëmtojnë pozicionin e Kosovës në të gjitha këto negociata.
“Gjitha këto agjenda po e dëmtojnë besimin mes Kosovës dhe akterëve ndërkombëtar, për të cilët Kosova në çdo agjendë ka nevojë”, ka shtuar ai.
Rashiti nuk beson që do të ndodhë përjashtimi i Kosovës nga CEFTA, por thotë se në rastin më të keq nëse ndodh diçka e tillë, rajoni do të ecë në agjendat e saj, e Kosova do të mbetet anash dhe atë anash një agjende të cilën e përkrah fuqishëm.
“Procesi i Berlinit, me të gjitha të metat, është instrumenti i vetëm që i fton të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të barabartë. Nuk ka asnjë agjendë serioze tjetër të BE-së, e as ndonjë agjendë tjetër përveç Procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit duhet të ruhet me çdo kusht, pa i anashkaluar të metat, por që duhet të ruhet sepse nuk ka agjendë tjetër e cila e mban Kosovën afër Berlinit”, ka nënvizuar Rashiti.