Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rasti “Bon Vivant”, ja kush fajësohet

Drejtues të institucioneve, pas incidentit në të cilin mbetën të lënduar dhjetëra persona e një i vrarë kanë fajësuar mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë.

Ministri i brendshëm Xhelal Sveçla thotë se drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Edhe deputetë opozitarë kanë reaguar ndaj incidentit. E për ngjare është raportuar se ishte i përfshirë edhe një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, por kjo është mohuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK.

Mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë vazhdon të mbetet shkaku kryesor i incidenteve.

Për vrasjen e cila ndodhi në lokalin “Bon Vivant”, në Prishtinë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e ka fajësuar sistemin e drejtësisë në vend.

Sipas tij shtetasit vazhdojnë të mbesin të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia.

“Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetëra të rinj të tjerë. Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme! Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre”.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha e ka dënuar incidentin e të premtes duke shtuar se Prishtina u zgjua e zymtë dhe plot dhimbje.

“Prishtina sot u zgjua e zymtë dhe plot dhimbje. Njerëz të armatosur që sillen lirshëm, jetë njerëzish të humbura, hapësirë publike e cenuar dhe ca vazhdojnë e merren me pasojën por jo edhe me thelbin e problemit”.

Reagime pati edhe nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Doarsa Kica-Xhelili e cila tha se institucionet duhet ta mendojnë urgjentisht trajtimin e posedimit të armëve.

 “Posedimi i armëve pa leje në Kosovë po shndërrohet në tmerr e frikë të përditshmërisë sonë! Institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta mendojnë seriozisht dhe urgjentisht trajtimin e posedimit të armëve në Kosovë, ndërkaq pres nga sistemi i drejtësisë ta zbardh këtë rast dhe kryerësit t’i mbaj përgjegjës”.

Përderisa kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se organet e rendit dhe ligjit duhet të ndërmarrin të gjitha masat për ndëshkimin e fajtorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë.

“Organet e rendit dhe ligjit të ndërmarrin të gjitha masat për ndëshkimin e fajtorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë, por si hap i parë i parandalimit të rasteve të tjera të ngjashme, që edhe mund të përsëriten, është krijimi i menjëhershëm i Policisë së Kryeqytetit”.

Për këtë ngjarje është raportuar se ishte i përfshirë edhe një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Informacionet që janë duke qarkulluar në media për rastin e mbrëmshëm, se i vrari është pjesëtar i FSK-së, nuk janë të vërteta. Sipas informacioneve zyrtare, në këtë ngjarje ishte i përfshirë edhe një pjesëtar i FSK-së. Forca e Sigurisë së Kosovës pas verifikimit të të gjitha informatave nga autoritetet kompetente të sigurisë, do të veproj bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi të FSK-së”.

Ndërsa ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se FSK është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kompetente të sigurisë, Policinë e Kosovës për të verifikuar informacionin nëse në çfarëdo forme në konflikt ishte i përfshirë ndonjë pjesëtar i FSK-së.