Po vazhdon edhe sot aksioni i policisë në lidhje me rastin e grabitjes së argjendarisë në Suharekë.
Argjendaria “Baraku” në Prishtinë, pronari i së cilës u arrestua të enjten nën dyshimin për përfshirje me grupin kriminal, është ruajtur sot nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, transmeton IndeksOnline.
Aty dyshohet se është ari i grabitur në argjendarinë “Diakos” në Suharekë, vlera e të cilit llogaritet të jetë rreth 250 mijë euro.
Ndërsa të enjten Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, realizoi një aksion të madh policor, në shtatë lokacione që përfshijnë Prishtinën, Fushë Kosovën e Carralevën.
Nga ky aksion, një person është qëlluar për vdekje nga policia, katër u arrestuan ndërsa një ka arritur të arratiset e që policia është vënë në kërkim të tij.