Gjatë ditës së djeshme një 26-vjeçar vdiq pasi u godit në trotuar nga një veturë në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë. Njohësit e rregullave të komunikacionit po vlerësojnë se përpos shoferes, fajtor për këtë janë edhe kushtet e rrugës.
Shenjat e gjakut janë ende prezente në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.
Në këtë vend vdiq një 26 vjeçar pasi u godit me veturë të hënën.
Për këtë, shoferja që po drejtonte automjetin tashmë gjendet në ndalim policor.
E Lavdim Hamiti që është doktor shkence në fushën e komunikacionit, thotë se përpos shoferit, faj kanë edhe shenjat rrugore që janë të vendosura në këtë pjesë të qytetit.
Sipas tij, shiritat e kësaj rruge duhen zgjeruar në mënyrë që të ketë më shumë hapësirë për kthesat e veturave.
Për shkak të numrit të madh të aksidenteve me viktima këmbësorët, Hamiti jep një propozim se si mund të evitohen këto aksidente.
Në raportin e Policisë së Kosovës, vetëm në 24 orëshin e fundit janë regjistruar 51 aksidente trafiku, ku 12 kanë qenë me të lënduar, kurse 38 prej tyre me dëme materiale.
Media ka kërkuar statistika nga Policia e Kosovës se sa është numri i përgjithshëm i aksidenteve me fatalitet, por që deri në publikimin e kronikës nuk ka pasur përgjigje.