Një person ka mbetur i vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e konfliktit me armë zjarri mes dy familjeve, Sekiraqa dhe Gashi në kryeqytet mbrëmë. Për gjendjen e dy prej të plagosurve për Insajderin ka folur drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Adbominale, Vesel Skenderi.
Ai ka konfirmuar se bëhet fjalë për pacientët 21 dhe 29 vjeçar, që të njëjtit janë operuar dhe gjendja e tyre është stabile dhe nën përcjellje.
“Këtu në Klinikën tonë janë sjell dy pacientë, njëri i vitit 2003 dhe tjetri pacient i vitit 1998, të cilët janë të lënduar me armë zjarri. Sapo kanë arritë është pa që kanë plagë në regjionin abdominal është ndërhyrë menjëherë pa vonesë, janë operuar edhe janë duke u trajtuar pas operacionit, Gjendja e tyre është stabile dhe po vazhdon trajtimi”, ka thënë ai.
Një pacient tjetër është duke u trajtuar në Klinikën e Kardiokirurgjisë.
Detaje për gjendjen e tij shëndetësorë për Insajderin ka dhënë drejtori i kësaj klinike, Shpëtim Shurdhiqi.
Sipas tij gjendje e këtij pacienti është stabile.
“Një pacient është duke u trajtuar tek ne në Kardiokirurgji, fatmirësisht gjendja e tij është stabile – nuk ka nevojë për intervenim kardiokirurgjik, kështu që është nën përcjellje dhe po e shohim tutje”, tha shkurt ai.
Policia ka bërë të ditur se të plagosurit po trajtohen në QKUK dhe janë nën masën e arrestit dhe me mbikëqyrje policore.
“VRASJE E RËNDË NË BASHKËKRYERJE /ARMËMBAJTJE PA LEJE – Rr. Gazmend Zajmi, Prishtinë /01.09.2024 – 22:04. Një mashkull kosovar ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të pësuara gjatë të shtënave me armë ndërmjet dy grupeve. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Po ashtu si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur edhe 5 të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë duke u trajtuar në QKUK nën masën e arrestit dhe mbikëqyrje policore”.
Ngjarja ka ardhur si pasojë e disa konflikteve që kanë pasur më herët dy familje problematike të Prishtinës. Familja Sekiraqa dhe familjes që njihet si “Capat”.
Si pasojë e të shtënave me armë ka mbetur i vdekur Premtim Gashi, që është pjesëtar i familjes ‘Capat’.