Para datës së caktuar për mbledhjen e Këshillit të Evropës, Qeveria e Kosovës kishte përgatitur një draft-statut lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, bazuar në propozimin e Fondacionit gjerman Friedrich Ebert.
Megjithatë, Kosova mbeti jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.
Përkundër kësaj shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla pasi Kosova kishte mbetur jashtë agjendës tha se vendi ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se anëtarësimi në këtë organizatë evropiane nuk mund të ndalet.
Por, konsultimi paraprak për këtë letër nuk ishte bërë me presidenten Vjosa Osmani.
Ky moskordinim për letrën e dërguar më 16 maj, ka bërë që zyra e presidentes të reagoj duke e përmendur se presidentja Osmani nuk është konsultuar e as dakorduar.
“Letra e Qeverisë së Kosovës dërguar në KiE, nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Osmani. Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve”, kishte thënë këshilltari për media i presidentes Bekim Kupina.
Edhe pas dy jave, letra e ekzekutivit vazhdoi të mbetet temë mes krerëve institucional.
Në një konferencë për media, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, kishte thënë se nuk e sheh si diçka të qëllimshme mos njoftimin e presidentes, duke vlerësuar se kjo ishte çështje teknike.
“Unë e kam kuptuar këtë si një pamundësi që të njoftohet Presidentja për çdo hollësi nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kjo, kam hamendësuar që ka mundur të ndodh për shkak të vizitës që ajo e kishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku për shkak të largësisë, me siguri jo çdo hollësi e cila ndryshonte çdo minutë në ditën e votimit që e kishim nga ana e Këshillit të Ministrave për Këshill të Evropës mund të ndahet dhe mund të koordinohet”, u shpreh Konjufca.
Derisa së fundi Osmani e kishte parë qesharake këtë deklaratë, duke thënë se mundësitë e komunikimit janë të shumta duke përfshirë edhe telefonin.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka preferuar më tepër heshtjen kur është pyetur mbi reagimin e presidentes, Vjosa Osmani për letrën e kryediplomates Donika Gërvalla në Këshill të Evropës.
Ndryshe, edhe subjektet opozitare e patën quajtur letrën e Gervallës të çuditshme dhe hap të rrezikshëm për aleatët ndërkombëtarë.
Ndryshe, më 16 prill Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm. Por, përfshirja e saj në rendin e ditës së takimit e fundit të Këshillit të Ministrave u pamundësua, meqë Kosova refuzoi të hedh hapa drejt themelimit të Asociacionit.