Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi sot se qëndrimi i BE-së është se ajo që ndodhi në Banjskë të dielën është një akt terrorist dhe tregoi se të gjithë ata që janë përgjegjës për atë sulm duhet të sillen para drejtësisë dhe të mbajnë përgjegjësi për të.
“Duhet të jemi të sigurt që është hetuar plotësisht dhe jo vetëm ata që kanë kryer sulmin, por edhe ata që kanë marrë pjesë në çfarëdo mënyre tjetër duhet të mbajnë përgjegjësi. Duhet të jemi të sigurt që drejtësia të arrihet për ata që planifikuan, e realizuan dhe ata që qëndrojnë pas gjithë kësaj. Ky është qëndrimi i BE-së që është përsëritur disa herë”, tha Stano në konferencën për shtyp.
Ai theksoi se BE-ja nuk do të komentojë çdo ditë deklaratat dhe vërejtjet e të gjithëve nga rajoni.
“BE-ja ishte e qartë në të gjitha deklaratat dhe në deklaratën e përfaqësuesit të lartë, deklaratën e përbashkët të anëtarëve të Unionit, anëtarëve individualë, se cilat janë pritjet e Unionit – të dyja palëve iu tha se çfarë duhet bërë menjëherë, sepse ajo që ndodhi të dielën është shumë e rëndë, por mënyra se si funksionon BE-ja nuk është të komentojë çdo vërejtje dhe lëvizje të vetme në zhvillimin e ngjarjeve pas asaj që ndodhi të dielën”, tha ai.
Stano përsëriti se BE nuk angazhohet përmes publikut dhe medias.
“Nëse kemi diçka për t’u thënë partnerëve, ne ua themi drejtpërdrejt. Këtë presim nga të tjerët, duke përfshirë interpretimin e marrëveshjes apo mënyrën e zhvillimit të hetimit. Ne nuk do të përfshihemi në hetim përmes publikut dhe mediave që është e papërgjegjshme dhe nuk mund të ndihmojë hetimin. Duhet të zbulohet se çfarë ka ndodhur, të ndëshkohen ata që janë përgjegjës”, thekson ai.
BE-ja është e përfshirë në masë të madhe në hetim, thotë Stano dhe shton se bashkëpunojnë me partnerët në rajon si dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Siç shton ai, BE-ja do të japë përgjigjet përkatëse kur shtetet anëtare të vendosin se ka ardhur momenti.