Deputetja Fjolla Ujkani përmes një postimi në Facebook ka reaguar në lidhje me dëmshpërblimin që Komuna e Prishtinës I ka bërë motrës së saj për aksidentin që e njejta ka pësuar.
Ujkani u shpreh se 110.000 eurot janë për një operacion që Elza do të duhet ta kryej jashtë vendit për pjesën e sipërme të kafkës, përcjell “Bota sot”.
Ajo gjithashtu thekson nuk do t’ia dëshiroja askujt në botë atë që i ka ndodhur Elzës, dhe do ta kisha dhënë të gjithë pasurinë e botës sikur do të mund ta ktheja kohën pas.
Postimi i plotë
110.000 euro.
Pas shumë vështirësive, netëve pa gjumë e traumave të njëpasnjëshme që kemi kaluar me shëndetin e motrës sime Elzës, dje u përballëm edhe me linçimin e familjes sonë në mediat sociale.
Publiku u keqinformua se familjes sonë i është dhënë dëmshpërblim/kompensim nga Komuna për dëmin që i është bërë Elzës.
Për shkak të dëmit të pariparueshëm në pjesën e sipërme të kafkës, Elza duhet t’i nënshtrohet një operacioni plastik jashtë vendit. Kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të mbuluar pjesën e dëmtuar dhe për të parandaluar komplikime të mëtejshme shëndetësore.
Pa këtë operacion, Elza përballet me rreziqe serioze për shëndetin e saj, që përfshijnë infeksione të mundshme dhe dëmtime të tjera të përhershme.
110.000 eurot janë për këtë operacion. Për operacionin e ardhshëm të Elzes.
Së pari, dua t’ju kujtoj të gjithëve se asnjë shumë parash nuk mund të kompensojë dhimbjen dhe vuajtjen që Elza ka kaluar dhe ende po kalon.
Së dyti, është tronditëse të shohësh se si disa njerëz e kanë shfrytëzuar këtë situatë për të shpërndarë negativitet dhe urrejtje.
Elza është luftëtare, dhe do të vazhdojë të luftoj për shëndetin e saj, edhe përkundër vuajtjeve e vështirësive të mëdha nëpër të cilat ka kaluar.
Për në fund, nuk do t’ia dëshiroja askujt në botë atë që i ka ndodhur Elzës, dhe do ta kisha dhënë të gjithë pasurinë e botës sikur do të mund ta ktheja kohën pas..