Krerët e partive opozitare dje në Kosovë, kanë zhvilluar një takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak. Pas takimit, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, kanë mohuar se gjatë takimit e kanë parë draftin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Por, të kundërtën e ka deklaruar kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj. Ky i fundit, ka thënë se e ka parë dhe e ka lexuar në tërësi draftin për Asociacionin, për të cilin ka thënë se nuk ka kompetenca ekzekutive.
Lidhur me këto deklarime kundërthënëse mes opozitarëve, ka reaguar aktivisti i shoqërisë civile Rron Gjinovci, përcjell Bota sot.
“Në të njëjtin takim, Haradinaj thotë që e ka pa draftin, Memli Krasniqi e Lutfi Haziri thojnë jo. Pse? Sepse kërkesa është me e mbajtë veç për vete për shkak se hala s’është dokument final. Këta i thojshin Kurtit bone publike e tash po thojnë na s’e kena pa draftin, pra ma përpara rrejnë që s’e kanë pa draftin sesa me dalë që edhe këtyne kur ju lypet mos me publiku s’mujnë me publiku dhe si rrjedhojë në të ardhmen s’kanë ku i kapen Kurtit.
Për shënim: Haradinaj që kallxoi drejtë që e ka pa, tha që s’ka kompetenca ekzekutive”, ka shkruar Gjinovci, në një postim në Facebook./Botasot