Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës pas takimit të jashtëzakonshëm lidhur me caktimin e çmimit të naftës, ka kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
“Në këtë takim pas diskutimeve me vendim unanim u vendos që të ushtrohet ankesë në këtë vendim pranë MINT, sepse nuk janë plotësuar kushtet ligjore për marrjen e këtij vendimi dhe të kërkohet interpretim ligjor lidhur me ligjshmërinë e këtyre lloj vendimesh”, thuhet në komunikatën e naftëtarëve.
Sipas vendimit të ministrisë, marzha maksimale e fitimit për shitjen me shumicë është 2 centë për litër, ndërkaq për shitjen me pakicë është 12 centë për litër.
“Vendimi është bazuar në monitorimin e rregullt të çmimeve në tregun e produkteve të naftës, evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës, si dhe raportet e përditshme nga Inspektorati i Tregut, lidhur me çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të naftës, me ç’rast është evidentuar një rritje e çmimeve e cila nuk reflektohet nga lëvizjet e çmimeve në tregun botëror”, ka shkruar MINT, dje në rrjetet sociale.