Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Reagojnë organizatorët e iftarit në shesh: Thasët u shqyen nga qentë endacak

Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” ka reaguar pas iftarit të organizuar në sheshin ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, ku morën kritika nga drejtori i shërbimeve publike, Bekim Brestovci për shkak të bërllogut.

Në reagimin e tyre thuhet se si organizator menjëherë pas përfundimit të iftarit, aktivitstët e tyre kanë pastruar sheshin por gjatë natës thasët e pastrimit janë shqyer nga qentë endacakë.

“Me këtë rast, duam të sqarojmë se ne, si organizator, menjëherë pas përfundimit të iftarit, aktivistët tanë kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për ta pastruar sheshin, dhe të gjitha mbetjet nga iftari, janë futur në thasët për pastrim, si dhe janë hedhur te kontejnerët më të afërt. Por, gjatë natës, thasët e pastrimit, janë shqyer nga qentë endacakë dhe është krijuar ajo pamje, që është aspak e mirë për të gjithë ne”, thuhet në reagimin e tyre.

Më tutje nga organizata kanë shprehur keqardhje dhe kanë kërkuar ndjesë te Komuna.

“Për gjendjen e krijuar që shihet në fotografitë e publikuara, shprehim keqardhjen tonë dhe njëkohësisht kërkojmë ndjesë për ndjesinë e krijuar, qoftë te zyrtarët e Komunës, të cilët i falënderojmë për mbështetjen, e po ashtu edhe te qytetarët e Prishtinës dhe te besimtarët tanë. Edhe njëherë kërkojmë ndjesë nga të gjithë dhe shprehim zotimin tonë që herëve të tjera gjërat e tilla nuk do të përsëriten”.