Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Reagon Avdullah Hoti: Pas gjithë këtyre viteve propagandë ndaj LDK’së, Kurti pranon vlerat e Marrëveshjes së Uashingtonit

Ish-kryeminsitri Avdullah Hoti, nënshkruesi i Marrëveshjes së Washingtonit, ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka gjetur fjalë të mira për marrëveshjen pas kthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpi të Bardhë.

Spas Hotit kjo është hipokrizi, meqë Kurti për vite ka akuzuar e shpifur ndaj qeverisjes së LDK-së.

“Pas gjithë këtyre viteve propagandë, akuzave të pabaza dhe shpifjeve të bëra ndaj qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Albin Kurti për nënshkrimin e Marrëveshjes së Washingtonit, sot ai hapur pranon vlerat e saj. Në intervistën për gazetën spanjolle El Mundo – siç transmeton Nacionale – Kurti e quan këtë marrëveshje një nismë që promovon stabilitetin për Kosovën. Çfarë hipokrizie! Njeriu që vijojë të ndërtoi prapësirën e tij politike mbi sulmet e pamëshirshme ndaj kësaj marrëveshjeje, sot e pranon rëndësinë e saj.”

Hoti ka shtuar se “ky është një rast i pastër i mashtrimit politik, i një lideri që për vite ka manipuluar qytetarët e Kosovës për përfitime të ngushta politike”.

Ai ka thënë se moszbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit ka shkaktuar dëm të pallogaritshëm për Kosovën.

“Moszbatimi i kësaj marrëveshjeje ka shkaktuar dëm të pallogaritshëm për vendin tonë – nga humbja e mundësive ekonomike, deri te dëmtimi i marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Kosova ka humbur kohë dhe besueshmëri.”

“Kjo është ajo që ndodh kur arroganca dhe mungesa e përgjegjësisë i zënë vendin diplomacisë së matur. Diplomacia nuk është për të kënaqur egon personale apo për të ndërtuar narrativa boshe – është për të mbrojtur dhe avancuar interesat e shtetit.”

Hoti ka thënë se Kurti dhe Qeveria e tij janë përgjegjës për një dështim historik dhe për një mundësi të artë të humbur.

“Albin Kurti dhe qeveria e tij janë përgjegjës për një dështim historik, për një mundësi të artë të humbur. Tani, kur dëmi është bërë, ai përpiqet të justifikohet. Por qytetarët e Kosovës nuk mashtrohen më nga fjalët e tij boshe.”