Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke qëndruar për një vizitë në Bosnje dhe Hercegovinë. Vizita e tij në këtë vend, ka ngjallur reagime të ashpra atje, veçmas nga Republika Serbe, në krye të së cilës është Milorad Dodik.
Kryeministri Kurti atje është pritur nga anëtari i Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq si dhe nga anëtari tjetër i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komshiq.
Lidhur me vizitën e kryeministrit Kurti në BeH, ka folur deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.
Ajo ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për vizitën e Kurtit në Sarajevë, duke theksuar se për këtë vizitë është informuar nga mediat. Balje konfirmon se nuk është ftuar nga kryeministri Kurti që të i bashkëngjitet në këtë vizitë.
‘’Për vizitën e Kurtit e kam kuptuar nga mediat. S’kemi pasur asnjë thirrje nga kryeministri për me iu bashkëngjitë gjatë vizitës në Bosnje‘’, thotë deputetja Balje.
Ajo shprehet se po të kishte ftesë nga kryeministri Kurti, do të shkonte me të në Bosnjë.
‘’Unë do të shkoja po të kisha ftesë nga kryeministri, s’kam arsye pse mos të shkojë‘’, deklaroi Balje.
Balje thotë se asnjë boshnjak në Bosnjë nuk është kundër Kosovës, dhe sipas saj, ata janë krenar me punën që komuniteti i saj ka bërë brenda Kosovës.
‘’Në Bosnje asnjë boshnjak nuk është kundër Kosovës dhe ata janë shumë krenar me punën që ne kemi bërë brenda shtetit të Kosovës. Brenda zemrës secili boshnjak e ka pranuar shtetin e Kosovës si të pavarur, por ata i kanë problemet e veta dhe nuk kanë mundësi të bëjnë diçka ndryshe’’, shprehet ajo.
Deputetja boshnjake, shprehet se Kurti ka shkuar në vizitë atje, për shkak të vizave.
‘’Kurti ka shkuar atje për shkakun e vizave.’’ përfundoj Balje.
Përndryshe, gjatë vizitës në Sarajevë kryeministri Kurti ka qenë i shoqëruar nga zëvendsja e tij, Emilia Rexhepi, e cila poashtu vjen nga radhët e komunitetit boshnjak, si dhe nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Anëtari i Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq, është takuar sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Gjatë takimit u tha se të gjithë në Ballkanin Perëndimor duhet të punojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Në fillim të bisedës, Beqiroviq theksoi se disa politikanë nga Bosnja dhe Hercegovina, entitetet e Republikës Sërpska, duhet të ndalen me propagandë, derisa potencoi se “nuk lejojmë askënd të na mësojë se me kë të takohemi, këtë le ta harrojnë përgjithmonë”.