Prishtina është zgjuar sot me disa grafite ofenduese ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fadil Geci, i cili ditë më parë dëshmoi në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Geci para speciales ka dhënë dëshminë e tij rreth komunikatës nr. 59 dhe autorësisë së saj.
Gani Geci ka folur sot për mediet vendore, ndërsa ka treguar se ka hapur rast në Polici për grafitet e vendosura.
Në mbështetje të vëllezërve Geci ka dalë, Shpëtim Hajdaraj, djali i ish-deputetit të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj.
Ai ka thënë se vëllezërit Geci e thonë të vërtetën tash e 25 vite, ndërsa ata që kanë gënjyer i ndryshojnë fjalët vazhdimisht.
Hajdaraj, në fund të postimit të tij ka bërë thirrje për drejtësi.
“E vërteta e vëllezërve Geci (Bajraktari)
Qe 25 vite, vëllezërit Geci i thojnë të njëjtat fjalë – të vërteten. Të njëjtat fjalë po i thonë edhe sot.
Ndërsa ata që kanë rrejtë, i ndryshojnë fjalët vazhdimisht, se nuk e mbajnë mend rrenën paraprake.
Drejtësia fitoftë për ta e për të gjithë ne!”, ka shkruar Hajdaraj.