Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj mëngjesin e sotëm u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Do të qëndrojë thuajse gjithë ditën aty. Por cila është arsyeja? Beqaj ka informuar gazetarët përmes avokatit se po njihet me aktet e dosjes. Do të qëndrojë i “ngujuar”.
Kjo për arsye se Beqaj refuzon që të paguajë 10 milionë lekë të vjetra për të marrë një kopje të akteve hetimore. Për këtë arsye po i lexon në PDF brenda SPAK-ut. Avokati tha se po ndiqen hapat ligjorë, ndërkohë që do të vazhdojë, tha avokati, leximi i dosjes sa të munden.
“Kërkuam që të njihemi me aktet e dosjes fizikisht. Na u dha një afat 24 orë për të shqyrtuar 700 fashikujt e dosjes hetimore. Janë 700 fashikuj, deri tani jemi tek fashikulli i dytë. Pasi lexuam dy vendimet, kërkuam kopjen e akteve, sikur na i njeh ligji të drejtën dhe u përballëm me faturën 10 milionë për scanimin dhe kopjet.
Janë 9 të pandehur dhe në total i bie 90 milionë. Është qesharake t’i kërkosh një pensionisti si Petro Mersini 10 milionë për t’u njohur me aktet, por si Rrjepaj dhe Rrapaj të lexojnë në PDF materialet, kur laptopi nuk lejohet në burg. Ne kemi paraqitur një kërkesë te gjyqtari Erion Bani për faturën e akteve, ai ende nuk e ka zbardhur vendimin dhe na ka orientuar për të shkuar në Gjykatën Administrative” tha avokati.
Në datë 18 mars Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për koncesionin e sterilizimit dhe i komunikoi akuzën për shpërdorim detyre. Për koncesionin 100 milionë euro të Sterilizimit në pranga janë vënë 2 persona, ish zv.ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.