Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Regjistrimi i popullsisë fillon më 5 prill, ASK thotë se është e gatshme

 
   

Avni Kastrati ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) ka thënë se regjistrimi i popullsisë do të bëhet nga data 5 prill deri më 17 maj të këtij viti.

Ai tha se kanë mbetur vetëm 27 ditë nga fillimi i regjistrimit të popullsisë.

“Fushata sensibilizuese preferohet të bëhet vetëm disa javë para regjistrimit të popullsisë. Na kanë mbetur vetëm 27 ditë nga regjistrimi i popullsisë. E kemi zënë trenin e fundit të vitit 2024, pasi ishte dhe pandemia. Sivjet janë tri shtete në botë që do të shkojnë në regjistrim të popullsisë, Gjeorgjia, Moldova dhe Kosova. Shtetet tjera e kanë bërë dhe disa nuk e kanë bërë siç është Bosnja e Hercegovina, pasi ka sfida. ASK-ja është e gatshme që të shkojë në regjistrim të popullsisë”, tha ai.

Tutje Kastrati tregoi se projekti për regjistrimin e popullsisë është i bazuar në Ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe në dy rregullore.

“Për finalizimin e shumë aktiviteteve kontribut shumë të çmuar kanë dhënë përveç institucioneve vendore duke filluar nga Qeveria, ministritë dhe agjencionet dhe institucionet ndërkombëtare…”, tha ai.

Kastrati tha se pyetësori do të bëhet publik së shpejti për të gjithë qytetarët dhe do të jetë online për t’i parë pyetjet.

“Janë mbajt dy takime të mëdha tërë javën ku kanë qenë të ftuar mbi 200 institucione apo përfaqësuar të tyre. ASK-ja i ka implementuar rekomandimet ndërkombëtare dhe ka një konsistencë nga regjistrimi i kaluar i vitit 2011 për shkak të krahasueshmërisë së pyetjeve”, tha ai.

“Tri objekte që do të regjistrohen: një është popullsia, ekonomitë familjare dhe të gjitha banesat, shtëpitë dhe objektet fizike që duken mbi tokë”, tha Kastrati.

Gjithashtu Kastrati theksoi se regjistrimi i popullsisë do të bëhet edhe për ata që jetojnë jashtë Kosovës, apo diaspora.

Kastrati po ashtu tha se të dhënat preliminare do të publikohen vetëm tre muaj pas kryerjes së regjistrimit.

“Ndërsa të dhënat finale do të publikohen nëntë muaj pas regjistrimit të popullsisë”, tha ai.