Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që ta përshpejtojë procesin për ta bërë Kosovën me status të vendit kandidat për anëtarësim në këtë bllok.
Ajo është thënë t’i ketë bërë këto deklarata në një drekë tradicionale të organizuar nga kryediplomati i BE-së, Josep Borell në Nju Jork, atje ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Presidenti serb, Aleksandar Vuciq, ka thënë pas takimit se Serbia është e hapur ndaj “bashkëpunimit konstruktiv në rajon që synon përmbushjen e objektivit tonë strategjik – anëtarësimit në BE”.
Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik.
Nga ajo kohë, vetëm Kroacia, nga vendet e rajonit, është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.
Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Bosnje-Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) me BE-në.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë bllok në dhjetor të vitit të kaluar.
“Masat kundër Kosovës nuk kontribuojnë në avancim të dialogut”
Mes tjerash, Osmani ka vlerësuar se masat e marra nga BE-ja ndaj Kosovës nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut dhe prekin interesat e mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri të vendit në maj.
Atje, banorët lokalë serbë e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesa komunale dhe situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.
Osmani ka vlerësuar se Kosova është palë konstruktive në dialogun me Serbinë – të ndërmjetësuar nga BE-ja – dhe është e përkushtuar për paqe e stabilitet.
“BE duhet t’i shpërblejë shtetet të cilat janë të bashkërenduara me BE dhe në të njëjtën kohë kanë ndërmarrë reforma, sidomos në sundimin e ligjit, ekonomi dhe standarde evropiane”, ka thënë mes tjerash ajo.
Rundi i fundit i dialogut të nivelit të lartë në Bruksel është mbajtur më 14 shtator.
Takimi ka përfunduar pa ndonjë rezultat.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë pas takimit se ndërmjetësuesi i BE-së në këtë proces, Mirosllav Lajçak është pozicionuar kundër Kosovës.
Sipas tij, gjatë takimit është vërejtur që ka pasur koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç ka thënë ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.
BE-ja, në anën tjetër, i ka konsideruar këto deklarata si të pa baza.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL