Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Remitencat e tregtia e mallrave shënojnë rritje në korrik sipas BQK-së

Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar statistikat financiare, remitencat dhe tregtia e mallrave për muajin korrik të këtij viti për institucionet tjera financiare, të cilat thuhet se kanë shënuar rritje.

Sipas njoftimit të BQK-së, asetet e ndërmjetësve të tjerë financiarë kanë arritur vlerën 455.4 milionë euro me rritje prej 8.1 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

“Bruto kreditë e ndërmjetëseve tjerë financiar shënuan vlerën për rreth 328.6 milionë euro në korrik 2023, rritje për 7 milionë euro krahasuar me muajin paraprak”, thuhet në njoftim.

Kjo rritje është ndikuar kryesisht nga rritja e kredive të aktivitetit të sektorit financiar. Kreditë ndaj ekonomive familjare në korrik 2023 përfaqësojnë 63 për qind të gjithsej kredive të sektorit mikrofinanciar.

Më tej është bërë e ditur se asetet e Fondeve Pensionale kanë arritur vlerën prej 2.6 miliardë euro, e cila shënon një rritje prej 66.4 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

“Struktura e aseteve të sektorit pensional dominohet nga letrat me vlerë të kapitalit që përbejnë 76.4% të gjithsej aseteve. Vlera e tyre në korrik 2023 ka arritur në 1.99 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 225.4 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Kjo rritje kryesisht i atribuohet rritjes së investimeve jashtë vendit, por njëkohësisht është vërejtur se ka pasur rritje të performancës së letrave me vlerë ekzistuese të cilat janë investuara me herët”, thuhet në njoftim.

Asetet e Kompanive të sigurimit thuhet se kanë arritur vlerën 296.3 milionë euro, e cila përfaqëson një rënie prej 2.2 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

Remitencat në muajin qershor 2023 ishin 123.9 milionë euro, që paraqet rritje prej 18 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

“Prurjet më të mëdha të remitencave gjatë këtij muaji ishin përmes agjencive për transferimin e parave dhe kanaleve tjera, konkretisht përmes IFJB 58.4 %, bankave 15.4% dhe kanalet tjera 26.2%”, bën të ditur BQK-ja.

Remitencat kryesisht vijnë nga shtetet Bashkimit Evropian rreth 60 për qind e gjithsej remitancave, prej të cilave kryeson Gjermania me 38.1 për qind dhe ndiqen nga Zvicra me 17.6 për qind dhe SHBA-ja rreth 7.5 për qind.