Rëndësia e raportimit të dhunës ishte tema me të cilën e nisën ditën sot nxënësit e shkollave në Kosovë. Kjo u bë në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore.
Me vendim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ora e parë e mësimit në të gjitha shkollat sot iu dedikua diskutimit për dhunën në familje.
Nxënësit e shkollës “Ahmet Gashi” në kryeqytet bashkëbiseduan për këtë temë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe shefen e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila.
Në nisjen e fushatës globale, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bëri thirrje që dhuna të raportohet.
Haxhiu: Kemi ndërmarrë veprime që kanë për qëllim viktimave të ju ofrohen shërbime
“Ministria e Drejtësisë e ka për përgjegjësi që të adresojë politikat për adresimin e dhunës në familje mbi bazë gjinore. Deri tani kemi ndërmarrë shumë veprime që kanë për qëllim që të rehabilitojnë personat të cilat bëjnë veprime të tilla, pra kryejnë dhunë në familje apo janë të dhunshëm në ambientin familjar, sikurse kemi ndërmarrë shumë veprime që kanë për qëllim që viktimat në Republikën e Kosovës, atyre të ju ofrohen shërbime të cilat edhe ju nevojiten. Qëllimi i këtyre takimeve është që të kemi bashkëbisedim me ju që ju të na adresoni pyetje e ne të ju përgjigjemi”, tha Haxhiu.
Ndër tjera, Haxhiu theksoi se kanë ndërmarrë veprime për fuqizimin e viktimave të dhunës në familje.
Haxhiu: Ministria e Drejtësisë bën kompensimin e viktimave të krimit
“Sot Ministria e Arsimit ka nxjerrë vendim që gjitha shkollat në orën e parë të flasin për dhunën në familje, atëherë ne kemi për qëllim që sot të ja dedikojmë kësaj teme këtë takim. Ne kemi ofruar ndihmën juridike falas për viktimat e dhunës në familje. Pra, pavarësisht gjendjes socio-ekonomike të viktimës, tashmë ajo gëzon ndihmë juridike nga shteti. Po ashtu, Ministria e Drejtësisë bën kompensimin e viktimave të krimit. Gjithashtu ne kemi adresuar edhe dënimet plotësuese për dhunuesit, në kuptimin që ata që shpallen fajtor për dhunë në familje dhe dhunë seksuale, gjykata mund të marrë dënim plotësues që të njëjtit mos të punësohen në institucionet e Republikës së Kosovës”, shtoi Haxhiu.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila tha se mekanizmat për të parandaluar dhunën janë të shumtë.
Ajo kërkoi nga nxënësit që të bëhen “aleatë për parandalimin e dhunës”.
Kusari-Lila: As nëna e as motra nuk e meritojnë dhunën
“As nëna, as motra, as shoqja, as gjyshja nuk e meritojnë dhunën. Nuk duhet të jenë subjekt i dhunës pse janë gra. Nuk duhet të jenë subjekt i nënçmimit, i mohimit të një drejte pse kanë forcë më të vogël fizike. Dimë njëjtë, mundemi njëjtë, kemi shanca për të pasur qasje dhe avancim të njëjtë me djemtë. Edhe unë jam nënë e dy djemve, njëri 19 dhe tjetri 13 vjeç e vërej dallimin tek djali 13 vjeç, tek krijimi i identitetit të djalit. Se të rrish me vajza është si me thënë pak si më dobësi para shokëve, të tregosh karakteristika është dobësi para shokëve e natyrisht se duhet të jesh tashmë më i fortë, të tregosh se djali rrinë me djalë, vajzat me vajza”, u shpreh Kusari-Lila.
Në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, deri më 10 dhjetor do të organizohen me aktivitete nga institucionet por edhe nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovë.