Thijs Reuten, eurodeputeti holandez, ka thënë se Perëndimi duhet t’ia tregojë kufirin Serbisë, pas mohimit të ekzistencës së Aneksit të Ohrit dhe refuzimit të nënshkrimit të marrëveshjeve me Kosovën.
Në një deklaratë për “The Guardian”, Reuten ka komentuar vizitën e fundit të Ursula von der Leyenit, presidente e Komisionit Evropian në Beograd.
Ai ka thënë se vetëm në javën e fundit edhe “besimtarët më të vendosur në strategjinë e dështuar BE-SHBA për qetësimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet të kenë pasur thirrje për zgjim nga gjumi”.
“Vuçiqi mohon ekzistencën e Marrëveshjes së Ohrit, nuk e do formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Prishtina, sepse edhe kur iu ofrua të nënshkruante marrëveshjen, ai refuzoi për të shmangur angazhimin real për normalizim. Në Beograd, ai i thotë presidentes së Komisionit, Von der Leyen, në fytyrë se është krenar që refuzon njohjen de-facto të Kosovës. Dhe tani në zgjedhje bashkohet me ultranacionalistin Vojislav Sheshel për zgjedhjet lokale në Serbi”, ka thënë ai.
Sipas Reutenit, Serbia duhet të marrë një vendim.
“Ju nuk mund të ledhatoheni me Rusinë, të jeni shkaku i jostabilitetit të vazhdueshëm në disa shtete fqinje, duke lejuar dhe duke mbështetur qëllimisht veprime destabilizuese, dhe në të njëjtën kohë duke folur për rrugën e BE-së dhe duke marrë miliarda të përkrahjes evropiane. BE-ja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe duhet të caktojnë një kufi”, ka shtuar ai.
Dhe ndërsa Serbia po përgatitet për zgjedhje, Reuten po ashtu ka përmendur shqetësimin për “fushën e pabarabartë të lojës” dhe mungesën e lirisë së mediave në Serbi.
“Si kryesues i misionit monitorues të Parlamentit Evropian për zgjedhjet, kemi dalë në përfundim me kolegët tanë në zgjedhjet e fundit presidenciale në prill të vitit 2022 ‘një numër të mangësive që kanë rezultuar në një ‘fushë të pabarabartë të lojës’, duke favorizuar ata në detyrë”, ka thënë Reuten.
Në fund, Reuten ka deklaruar se Vuçiqi ka shpallur zgjedhjet e reja vetëm për t’ia ruajtur vetes pozitën.
“BE-ja s’duhet t’i japë pushim dhe duhet t’ia bëjë të qartë që të veprojë për stabilitet të rajonit dhe për të ardhmen evropiane e prosperuese për popullin e tij”, ka shtuar Reuten.