Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters e ka quajtur Prishtinën “kryeqyteti i betonit”.
Reuters shkruan se “Prishtina po përpiqet ta ringjallë imazhin e saj të shurdhër dhe gri me mbishkrime të gjalla në mure dhe ndërtesa, duke ndihmuar në transformimin e hapësirave publike në zona më tërheqëse dhe më të gjalla”.
Më shumë se 100 artistë nga 28 vende kanë mbuluar 2000 metër katror mure në Rrugën B (Rruga B) në qytet me art në një festival gjatë tri ditëve të fundit.
Kjo rrugë ndan ndërtesat e vjetra komuniste në perëndim me ato të reja në lindje, të cilat kanë të gjitha një gjë të përbashkët – hapësirën e pakët për përdorim publik dhe një bollëk betoni, shkruan Reuters.
“Kur sheh betonin të jep përshtypjen se është ende në ndërtim e sipër”, tha Agon Xhelili, organizator i festivalit Meeting of Styles Kosova. “Kur artistët shohin këto vende ata thonë: ‘dreqin, ky është vendi më i mirë për të pikturuar’.
Organizata jofitimprurëse me të njëjtin emër u krijua në mesin e viteve ’90 në Gjermani, duke mbështetur artistë që mund të pikturonin ligjërisht mijëra metra katrorë zona të braktisura.
Që nga krijimi i saj, ajo ka organizuar më shumë se 400 evente si ai në Prishtinë, duke ndihmuar mijëra artistë në mbarë botën.
Daniel Sharon, një artist nga Londra që merrte pjesë në ngjarje me vëllain e tij, po pikturonte motive nga filmi horror bardh e zi i viteve 1950, Krijesa nga Laguna e Zezë.
“Unë mendoj se do të jetë vërtet pozitive (vizualisht dhe për turizmin) nëse lejojnë më shumë murale të artit publik”, tha Sharon.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, vendi ballkanik pa një bum në ndërtim, megjithëse qeveria ka thënë se më shumë se 70% e të gjitha apartamenteve dhe shtëpive janë ndërtuar pa miratim zyrtar.
Qeveria ka premtuar legalizimin e shumicës së tyre.