Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Revolta e njësive elitare të Policisë, pse ia zunë derën Kurtit me kërkesa

Kryeministri Albin Kurti vendosi për shtesa në vlerë 150 euro dhe 120 euro dy njësiteve më elitare të Policisë së Kosovës. E në shenjë pakënaqësie për këtë ata u revoltuan me protestë. Kurtin e ftuan për ballafaqim dhe përmbushje të kërkesave të tyre, teksa paralajmëruan veprime tjera. Krejt çfarë ndodhi sot në protestën e Njësitit Special për Intervenim dhe Njësitit për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive.

Të bashkuar e me kërkesa dy njësite elitare të Policisë së Kosovës ia mësynë sot Qeverisë. Përmes protestës, Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive kërkuan përballje me Albin Kurtin për të diskutuar për përmbushjen e kërkesave të tyre. Kategorizimi si njësi e veçantë, rrezikshmëria të përcaktohet në 50% e pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës janë tri kërkesat kryesore te tyre. Në rast të mos përmbushjes ata paralajmëruan edhe veprime tjera.

“Kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50% e pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës. Në fund dua të potencojë se kërkesat tona janë absolutisht ekonomike dhe sociale, lehtë të realizueshme dhe nuk përfaqësohemi nga askush. Prandaj kërkojmë mirëkuptim në këtë aspekt sepse jemi pjesëtarë të PK-së dhe nuk d3ëshirojmë që të përdoremi nga askush për qëllime politike”, tha sot njëri nga protestuesit nga Njësiti “FIT”.

E pakënaqësitë e këtij Njësiti ai tha se ka më shumë se 10 vite që i kanë. E kryeministrin Kurti e ftuan që të bëjë hapa konkret për realizimin e tyre.

“Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje por ka më shumë se 10 vite që kemi marr premtime për benifite që na takojnë por deri më tani këto premtime asnjëherë nuk janë plotësuar. Njëherë arsyetim ka qenë mungesa e Ligjit të Pagave mirëpo edhe nëntë muaj pas miratimit të këtij ligji, nuk janë marrë parasysh kërkesat tona. Madje ka pasur ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë, madje shtesa e veçantë qe e kemi gëzuar nga viti 2010 na u ndalu e tëra. Ne jemi unik në kërkesat tona sepse janë legjitime dhe të nevojës urgjente. Nuk do të zbrapsemi deri ne realizimin e tyre. Prandaj ftoj kryeministrin dhe Qeverinë që të marrin hapa konkret në realizimin e tyre”, ka thënë ai.

Në mbledhjes e së premtes, Qevberia e Kosovës mori vendim që shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, të ketë 150 euro shtesa mbi pagën bazë.

“Shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, janë nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të premten.

Ai ka thënë se shtesa prej 120 eurosh do të marrin njësitet operative K-9, dhe njësia për eksplozivët dhe deminim.

“Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, respektivisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë”, ka thënë Kurti.

Përveç këtij njësiti, pakënaqësi për ndarjen e shtesave kanë shprehur edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Në një reagim dje, nga kjo sindikatë thanë se shtesat janë të ulëta dhe se nuk e arsyetojnë punën dhe rrezikshmërinë në Policinë e Kosovës.

Poashtu, Sindikata thotë se janë të papranueshme për secilën kategori dhe se janë diskriminuese për të gjitha njësitë.

“Sa i përket propozimit të Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë, vlerësojmë se janë të ulëta dhe nuk e arsyetojnë punën dhe rrezikshmërinë në Policinë e Kosovës, prandaj janë të pa pranueshme për secilën kategori, janë diskriminuese për të gjitha njësitë, sepse të gjithë zyrtarët policorë përballen çdo ditë me rrezik dhe kjo e dëshmon me numrin e zyrtarëve policorë që e kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.”, thuhet në reagimin e Sindikatës.

“Pakënaqësia te të gjithë pjesëtarët e policisë është e madhe, prandaj kërkojmë që në afat sa më të shkurtë të bëhet realizimi i këtyre kërkesave dhe kërkesave paraprake me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe mirëqenës në Policinë e Kosovës.”, thuhet tutje në reagim.

E nuk është hera e parë që njësiti FIT po proteston. Në vitin 2010, njësitë speciale përmes grevave dhe protestave kishin kërkuar rritje të pagave bazë për 100 euro por edhe kontrata të përhershme në Policinë e Kosovë. Protesta në atë kohë e policëve të njësive të ndryshme policore kishte rezultuar me rritje të pagave. Në vitin 2010 policët përfshirë edhe njësinë elite FIT kishin marrë shtesa nga 100 euro.

Më pas në vitin 2014 sërish në kohën e ish-kryeministrit Thaçi pati rritje të pagave për policët.

Ky njësit fillimisht në shenjë bojkoti për trajtim jo të dinjitetshëm e mos përmbushje të kërkesave të tyre, nuk mori pjesë në “Darkën e Lamës” e cila u organizua nga Zyra e Presidentes Vjosa Osmani në kampin e njësive speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicën e Jugut.

Njësia Speciale Intervenuese (NJSI/FIT) hynë në kategorinë e njësive elite të Policisë së Kosovës e cila u themelua në vitin 2007.

Reagimet për protestën e sotme:

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur trishtuese dhe dëshpëruese protestën e sotshme të njësitet elitar të Policisë së Kosovës FIT.

Ai tha se heronjtë e vendit janë poshtëruar nga Qeveria.

“Trishtim. Dëshpërim. Njësia më elitare e shtetit detyrohen në protestë. Heronjtë e veriut, djemtë më të zot, të poshtëruar nga një Qeveri që nuk dëgjon për ta kur ata kanë nevojë. Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë”, ka shkruar ai.

Për këtë protestë ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po e konsideron të drejtë kërkesën e tyre ndaj Qeverisë.

“Kryeministër, çka po pret? Policia ka të drejtë, respektojeni!”, ka shkruar Haradinaj.