Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arber Rexhaj, në emisionin DPT te Fidani, ka thënë se Edi Rama duhet ta dijë se nuk është kryeministër i Kosovës, por i Shqipërisë.
Sipas tij, deklarata e Ramës se KFOR-i duhet ta marrë nën kontroll veriun është deklaratë skandaloze dhe tentim për t’ia minuar shtetësinë Kosovës.
“Nëse themi veriu duhet t’i kthehet KFOR-it, ne lëshojmë dorë prej shtetësisë së Kosovës. Këtë e di zoti Rama dhe unë quditem me deklaratën që ai e lëshon. Të deklarosh sot që veriu duhet t’i kthehet KFOR-it është skandaloze, dhe mbi këtë skandal po ecë Rama”.
“Pos asaj, zoti Rama duhet ta dijë që është kryeministër i Shqipërisë, dhe zoti Kurti është kryeministër i Kosovës. Unë nuk e kam dëgju, qe 3 vjet e gjysmë Kurtin që t’i thotë Ramës bëj kështu ose ashtu.”
Madje, Rexhaj tha se Rama mund ta ketë edhe personale me Kurtin, mirëpo kjo nuk duhet ta pengojë atë që të mendojë për të mirën e Kosovës dhe të institucioneve të saj.
“Mendoj se Rama ngapak e ka marrë shumë personale këtë çështjen me Kurtin, nuk e di se çka ka. Rama duhet të mendojë për Kosovën si Republikë dhe në kuptimin institucional, pra le ta harrojë Kurtin si kryeministër, ai mund të mos e dojë atë si njeri, është çështje krejtësisht private e tij”, tha Rexhaj.